Aplikacion
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka njoftuar se të hënën, më 18 gusht, do të zhvillojë një takim të rëndësishëm me Presidentin amerikan Donald Trump në Washington.
Ky takim pason një bisedë telefonike të gjatë dhe mes dy liderëve, ku Trump e informoi Zelenskyn mbi diskutimet që zhvilloi me Presidentin rus, Vladimir Putin, gjatë samitit në Alaskë.
“Ukraina riafirmon gatishmërinë për të punuar me maksimumin e mundshëm për të arritur paqen. Të hënën do të takohem me Presidentin Trump në Washington për të diskutuar të gjitha detajet lidhur me përfundimin e vrasjeve dhe luftës. Jam mirënjohës për ftesën”, deklaroi Zelensky.
Megjithëse samiti Trump–Putin në Alaskë u cilësua i rëndësishëm për përpjekjet diplomatike, ai nuk solli një rezultat konkret për ndalimin e luftës./ Zoom.al