zoom

Bota

Zbuloi sekretet e Pentagonit, dënohet ish-anëtari i Gardës Kombëtare Ajrore në SHBA

Anëtari i Gardës Kombëtare të Ajrore në SHBA, Jack Teixeira u dënua me 15 vjet burg për zbulimin në internet të dokumenteve të ushtrisë amerikane shumë të klasifikuara, duke përfshirë disa që lidhen me pushtimin rus të Ukrainës. Ai kërkoi falje në gjykatë për veprimet e tij.

22 vjeçari u dënua nga gjykatësja e qarkut të SHBA, Indira Talwani në Boston pasi u deklarua fajtor në mars për kryerjen e asaj që prokurorët federalë kanë quajtur një nga shkeljet më të rëndësishme të ligjit anti-spiunazh të kryer ndonjëherë në SHBA

“Më vjen keq për të gjithë dëmin që kam shkaktuar”, tha Teixeira, i veshur me një uniformë burgu portokalli, gjatë seancës së tij të dënimit.

Gjykatësja deklaroi se Teixeira zbuloi informacione të fshehta pasi mori një trajnim të gjerë mbi nevojën për të mbrojtur informacionin e klasifikuar nga zbulimi dhe paralajmërimet në lidhje me dënimet me të cilat mund të përballet.

“Pavarësisht kësaj, ju postuat në internet, në Discord, qindra dokumente gjatë një periudhe prej një viti”, tha Talwani për Teixeira. “Fakti që të tjerët nuk bënë më shumë për t’ju ndaluar është me të vërtetë për të ardhur keq.”

 

Postime të lidhura