zoom

Aktualitet

“Na vranë…”/ Përgjimet zbulojnë planin mafioz. Ervis Martinaj, 500mijë euro për kokën e Bamit

“Na vranë…”/ Përgjimet zbulojnë planin mafioz. Ervis Martinaj, 500mijë euro për kokën e Bamit

Detaje tronditëse kanë dalë në dritë nga hetimet mbi komunikimet e realizuara në platformën e enkriptuar “Sky ECC”, ku Tori Xheçuka rezulton të ketë qenë jo vetëm pjesë e organizimit të një atentati ndaj Durim Bamit, por edhe një nga ekzekutorët e mundshëm.

Sipas të dhënave hetimore, Xheçuka është thirrur në armë nga Marklen Haka – një nga figurat e njohura të Niklës – për të marrë pjesë në një plan të mirëorganizuar për eliminimin e Durim Bamit, një tjetër emër i botës së krimit, që aktualisht ndodhet i strehuar në Dubai.

Në komunikimet e zhvilluara në Sky ECC ndërmjet Torit, Florenc Kelmendit, Albert Zajës, Marklen Hakës dhe të tjerëve, del qartë se ishte Ervis Martinaj porositësi dhe financuesi kryesor i atentatit. Një plan që parashikonte eliminimin e vëllezërve Durim dhe Valter Bami, për të cilin Martinaj kishte ofruar një shumë prej 500 mijë eurosh.

Komunikimet mes Martinajt dhe Xheçukës, më 6 dhe 7 qershor 2020, tregojnë për përfshirjen e drejtpërdrejtë të të dyve në planifikimin e atentatit. Tori e mban Martinajn të informuar mbi lëvizjet e Bamit dhe lidhjet e tij me emra të tjerë të botës së krimit si Ervin Kodra, Ervin Kallari dhe Genti Koçi. Ndërkohë, Albert Zaja shërben si ndihmës në identifikimin e automjeteve me të cilat lëvizte Durim Bami.

Në vijim të planeve, më 4 nëntor 2020, Tori Xheçuka dhe Florenc Kelmendi ekzekutuan atentatin në zonën Kamëz-Tapizë, duke qëlluar me breshëri ndaj një makine ‘Range Rover’ ku ndodheshin Durim Bami dhe Ervin Kodra. Por, për shkak të një makine shoqëruese me trupa të armatosur të Bamit, atentatorët ranë në zjarr kundër. Shkëmbimi i zjarrit zgjati disa minuta, por fatmirësisht nuk pati viktima.

Në momentet e fundit, me municionin e mbaruar, Tori i rrëmben kallashnikovin Kelmendit dhe përpiqet të dalë nga përplasja, ndërsa dëgjohen britmat e këtij të fundit: “Na vranë, na vranë!”

Hetimet gjithashtu tregojnë se Tori Xheçuka ka qenë edhe krahu i armatosur i Emiljano Shullazit, i dënuar për krime të rënda dhe aktualisht i burgosur. E kaluara e Xheçukës e lidh atë me disa nga figurat më të rrezikshme të krimit të organizuar në Shqipëri dhe jo vetëm.

Një jetë si vrasës me pagesë, me dosje të hapura në Shqipëri dhe Greqi, dhe ende shumë ngjarje të pazbardhura që mund të kenë lidhje me veprimtarinë e tij kriminale, hedhin hije mbi rolin real të këtij personazhi në botën e errët të mafias shqiptare. Në Shënjestër/

Postime të lidhura