Aplikacion
Mbi 42 mijë foto dhe video me përmbajtje të abuzimit seksual të fëmijëve janë zbuluar në një faqe interneti me domain shqiptar “.AL”, sipas Qendrës Kombëtare për Internet të Sigurt, iSIGURT.al.
Rasti është cilësuar si një nga më të rëndët e evidentuar deri më tani nga ekspertët e sigurisë online.
Sipas iSIGURT.al, vetëm gjatë muajit qershor janë identifikuar 42.624 materiale të tilla në faqen në fjalë, të cilat janë raportuar menjëherë te autoritetet policore. Qendra ka kërkuar ndërhyrje urgjente për heqjen e materialeve nga interneti dhe nisjen e hetimeve për identifikimin e përgjegjësve.
Gjatë verifikimeve është konstatuar se përmbajtja ishte publikuar në një faqe të regjistruar me domain “.AL”, çka sipas iSIGURT.al ngre shqetësime serioze mbi përdorimin e faqeve me origjinë shqiptare për shpërndarjen e materialeve të paligjshme dhe nevojën për forcim të kontrollit dhe sigurisë kibernetike.