Aplikacion
Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me atentatin e ndodhur në Pogradec, ku mbeti i plagosur 35-vjeçari Brian Syzo. Hetimet kanë zbuluar se autorët e dyshuar dyshohet se kishin monitoruar prej ditësh lëvizjet e tij, duke vendosur një kamerë pranë Burgut të Sigurisë së Lartë të Drenovës.
Burime bëjnë me dije se rreth katër ditë para atentatit është konstatuar një kamerë e vendosur në një prej plepave përgjatë rrugës që të çon në burgun e Drenovës. Pas marrjes së informacionit, Policia e Korçës ka kryer verifikimet, duke bërë të mundur identifikimin e personave që dyshohet se e kishin instaluar.
Sipas burimeve hetimore, nga këqyrja e pamjeve filmike janë identifikuar vëllezërit Nikolla dhe Edison Agolli, të cilët dyshohet se kishin vendosur kamerën për të monitoruar lëvizjet e Brian Syzos.
Hetuesit dyshojnë se qëllimi ishte goditja e 35-vjeçarit në momentin kur ai do të shkonte për të takuar në burg vëllain e tij, Sindi Syzo. Ky i fundit po vuan dënimin për plagosjen me thikë të Nikolla Agollit në një berberhane në Pogradec, ngjarje e ndodhur në janar të vitit 2025.
Sipas hetimeve, konflikti i vjetër mes dy familjeve dyshohet se është motivi i atentatit të ndodhur pak ditë më parë në qytetin liqenor.
Në ngjarjen e së dielës, Brian Syzo u qëllua me armë zjarri dhe mbeti i plagosur në të dyja këmbët. Ai u transportua fillimisht në spitalin e Pogradecit dhe më pas në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku vijon të marrë ndihmë mjekësore.
Për atentatin, policia arrestoi pak minuta pas ngjarjes autorin e dyshuar, Nikolla Agolli, si dhe David Priftin. Ndërkohë, janë shpallur në kërkim Edison Agolli dhe Meardi Berberi, i njohur me nofkën “Koro”, të cilët dyshohet se kanë bashkëpunuar në organizimin dhe realizimin e sulmit.
Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe për lokalizimin e dy personave të shpallur në kërkim./Zoom.al