Aplikacion
Zbardhen detaje të reja nga ngjarja e ndodhur një ditë më parë në Pogradec, ku mbeti i plagosur me armë zjarri 35-vjeçari Brian Syzo. Hetimet paraprake kanë zbuluar dinamikën e ngjarjes, ndërsa policia ka identifikuar katër autorët e dyshuar.
Sipas burimeve hetimore, Brian Syzo ishte i ndaluar me automjetin e tij në anë të rrugës, së bashku me një mik, i cili ndodhej në një automjet tjetër. Në momentin që shoku i tij zbriti nga makina për të hipur në automjetin e Syzos, në vendngjarje mbërriti një makinë me katër persona.
Nga hetimet rezulton se autori i dyshuar, Nikolla Agolli, fillimisht ka thyer xhamin e automjetit të mikut të Brian Syzos. Në ato çaste, 35-vjeçari ka dalë nga makina, ndërsa Agolli ka hapur zjarr në drejtim të tij, duke e qëlluar disa herë.
Pas plagosjes, Brian Syzo u transportua me urgjencë drejt spitalit nga shoku i tij. Ai mori dy plumba, nga një në secilën këmbë, dhe aktualisht ndodhet i shtruar në Spitalin e Traumës në Tiranë. Burime mjekësore bëjnë me dije se të dyja këmbët i janë vendosur në allçi, ndërsa gjendja mbetet delikate pasi një prej plumbave ka prekur një nga venat kryesore, duke mos përjashtuar rrezikun e amputimit të njërës gjymtyrë.
Menjëherë pas atentatit, autorët u larguan nga vendngjarja. Ata dyshohet se braktisën automjetin në zonën e Qafë Thanës dhe më pas u shpërndanë në drejtime të ndryshme.
Policia arrestoi vetëm pak minuta pas ngjarjes Nikolla Agollin, i cili u kap në një furgon në Përrenjas. Më pas u vu në pranga edhe David Prifti, ndërsa në kërkim janë shpallur Meardi Berberi, 40 vjeç, dhe Edison Agolli, 22 vjeç, vëllai i Nikolla Agollit.
Sipas burimeve, Meardi Berberi është një person me precedentë të theksuar penalë në Pogradec. Ai është dënuar më herët për vepra si “armëmbajtje pa leje”, “plagosje e rëndë me dashje” dhe “kanosje”, ndërsa konsiderohet edhe si një nga organizatorët e sulmit në Volorekë në vitin 2020.
Policia dyshon se objektivi i autorëve ishte eliminimi i Brian Syzos, për shkak të konflikteve të vazhdueshme mes dy palëve. Një nga pistat kryesore lidhet me një ngjarje të ndodhur në janar të vitit 2025, kur Nikolla Agolli mbeti i plagosur në një berberhane në lagjen nr. 1 të Pogradecit, pas të shtënave nga Sindi Syzo, vëllai i Brian Syzos.
Hetimet vijojnë për kapjen e dy personave në kërkim dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.