Aplikacion
Është zbardhur tentativa për vrasje e ndodhur një ditë më parë në Pogradec, ku mbeti i plagosur me armë zjarri në këmbë 35-vjeçari Brian Syzo. Policia ka identifikuar katër autorët e dyshuar të ngjarjes, dy prej të cilëve janë arrestuar, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim.
Në pranga kanë rënë Nikolas Agolli, 24 vjeç, banues në Buçimas, dhe David Prifti, 30 vjeç, banues në lagjen nr. 1 të Pogradecit. Ndërkohë, në kërkim janë shpallur shtetasit me iniciale M. B., 40 vjeç, banues në lagjen nr. 2 të Pogradecit, dhe E. A., 22 vjeç, banues në Buçimas. Sipas Policisë, të katërt kanë precedentë penalë për krime kundër personit.
Nga hetimet rezulton se autorët e dyshuar, për shkak të konflikteve të mëparshme me Brian Syzon, kanë tentuar ta vrasin duke qëlluar me armë zjarri në drejtim të tij, ndërsa ai ndodhej në automjetin e tij të parkuar në lagjen nr. 3 të Pogradecit.
Njëri prej autorëve kryesorë, Nikolas Agolli, u lokalizua dhe u arrestua vetëm pak minuta pas ngjarjes.
Burime bëjnë me dije se Nikolas Agolli ishte plagosur në janar të vitit 2025 në një berberhane në lagjen nr. 1 të Pogradecit nga Sindi Syzo, vëllai i Brian Syzos.
Ky fakt ngre dyshime se atentati i fundit mund të jetë i lidhur me konfliktin e mëparshëm mes dy familjeve, megjithëse kjo pistë mbetet ende objekt i hetimeve.
Gjatë veprimeve hetimore janë sekuestruar tre automjete dhe gjashtë aparate celularë, në cilësinë e provës materiale.
Brian Syzo vijon të jetë nën kujdesin e mjekëve, ndërsa hetimet vazhdojnë për kapjen e dy personave të shpallur në kërkim dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.