zoom

Slider

Xavi i jep lamtumirën Barcelonës: Largohem krenar dhe me ndërgjegje të pastër

Xavi foli në konferencën e tij të fundit për shtyp para ndeshjes si trajner i Barcelonës të shtunën.

44-vjeçari ka lënë të hapur derën për t’u rikthyer në klubin katalanas në të ardhmen dhe ka pranuar se nuk e priste një largim të tillë.

Xavi deklaroi se ka kaluar disa ditë të komplikuara, por se largohet krenar dhe me ndërgjegje të pastër.

“Jam mirë. Këto kanë qenë ditë të komplikuara, por largohem krenar dhe me ndërgjegje të pastër”, tha Xavi. “Nuk ka qenë e lehtë, ne e dinim tashmë se do të ishte një kohë e ndërlikuar. Mendoj se mund të jemi krenarë për punën që kemi bërë, me një ndërgjegje të pastër që kemi dhënë gjithçka dhe gjithmonë duke u përpjekur të jemi një njeri i klubit.

Ne kemi kuptuar shumë gjëra në situata të komplikuara. Kemi bërë një punë të mirë pavarësisht se nuk fituam tituj këtë vit. Ka qenë një përvojë e madhe. Do të shijoj ndeshjen e fundit, e cila ka qenë një nder dhe një kënaqësi.”

Xavi gjithashtu zbuloi se ka folur me presidentin Joan Laporta për largimin e tij dhe se i kupton arsyet e tij për të bërë një ndryshim në stol.

“Isha me presidentin dje, ai më tha arsyet e tij pse beson se klubi ka nevojë për një ndryshim drejtimi, trajneri dhe unë e pranoj dhe respektoj”, tha Xavi.

“Ai vendos gjithçka në klub. Unë jam një njeri i klubit, do të jem gjithmonë i disponueshëm për çdo gjë që ka nevojë Barcelona. Ne shtrënguam duart, u përqafuam, i uruam njëri-tjetrit fat dhe unë do të jem një Culé më shumë në fushë. Menaxhmenti ka vendosur për këtë për klubin. Ata besojnë se kanë nevojë për një ndryshim drejtimi. Unë vetëm mund ta pranoj dhe ta respektoj atë. Deri më sot, kam qenë ende i motivuar, i emocionuar dhe me ambicien time të paprekur. Besova në skuadër, që ne mund të bënim gjëra interesante”.

Sa i përket një rikthimi të mundshëm në Barcelonë në të ardhmen, Xavi e la derën hapur.

“Pse jo, do të doja. E kam shijuar, edhe kam vuajtur”, tha Xavi.