Aplikacion
“Komandant Suprem, ju presim”, shkruhej në posterat tashmë të hequr në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës. Sveçla ka paralajmëruar se nëse Vuçiç është nisur drejt Kosovës pa marrë leje zyrtare, ai do të arrestohet.
“I paskan ngjitur tinëz gjatë natës disa postera në veri të Kosovës. Aty thonë që po e presin presidentin e Serbisë të vijë duke e quajtur atë ‘komandant’. Nëse është nisur pa kërkesë te Ministria jonë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, edhe ne po e presim të vijë dhe mandej mund ta vizitoni në burg, ku ai i ka tashmë disa miq të tij”, shkroi Sveçla në Facebook.
Në veri të Kosovës janë shfaqur postera me fotografinë e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, shoqëruar me mesazhin “komandant suprem, po të presim”. Posterat janë vendosur në Mitrovicë të Veriut, Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok – katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani, konfirmoi se autoritetet kanë nisur hetimet për “nxitje të urrejtjes”. Aktualisht, sipas Elshanit, nuk ka persona të dyshuar për vendosjen e këtyre posterave, por “policia po punon në drejtim të zbardhjes së rastit”. Ndërkaq, sa i përket situatës së sigurisë në veri, Elshani tha se është e mirë.
Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, reagoi lidhur me vendosjen e posterave në veriun e Kosovës, dedikuar presidentit Vuçiç. Ai tha se nëse lideri serb futet në Kosovë, pa marrë leje nga institucionet e vendit, do të burgoset.
Mediat kanë pyetur në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, nëse presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, ka bërë kërkesë për ta vizituar Republikën e Kosovës.
“Ju informojmë që në MPJD ditët e fundit nuk ka ardhur asnjë kërkesë për vizitë të ndonjë zyrtari të Serbisë në Republikën e Kosovës”, thuhet në përgjigjen e zyrës për media të MPJD-së për median.
Shfaqja e posterave në veri ndodh në kohën kur tensionet mes Kosovës dhe Serbisë vazhdojnë të jenë të larta që nga maji i vitit të kaluar, kur kryetarët e rinj shqiptarë në katër komunat në veri, nisën mandatin. Tensionet u rritën edhe më shumë në shtator, kur një grup i serbëve të armatosur sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke vrarë një rreshter.
Përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiç, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit. Prishtina ka kërkuar nga Beogradi që të dorëzojë Radoiçiçin dhe grupin e tij te autoritetet gjyqësore të Kosovës. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e bëri edhe gjatë raundit të fundit të dialogut – që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian – më 26 qershor.
BE-ja tha se kjo ishte një prej tri kushteve që Kosova ka vendosur për angazhimin e saj në procesin e normalizimit të raporteve me Serbinë. /ZOOM.AL/