zoom

Aktualitet

“Mos fol se prish punë”/ Zbulohen bisedat e Jurgis Çyrbes me Mond Çekiçin para se të vritej

Përdoruesi i kodit “BFLSI 1”që dyshohet se është deputeti Jurgis Çyrbja komunikon me një person që mendohet se është Edmond Koçi.

Ky është një prej personazheve më të njohur të botës së krimit në Durrës, i njohur me nofkën “Mond Çekiçi”.

Është fillim i marsit dhe më tepër se një muaj para se shqiptarët tu drejtohen kutive për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Koci tregohet optimist mbasi është investuar tek persona të tjerë që Çyrbja të ishte kandidat për deputet në listë. Aty këmbëngul që ka biseduar që Çyrbja të mos ishte i 7 por të renditej i pesti në listë.

“Tashti sa e mbylla muhabetin tënd se kam tre orë me atë, por mos fol me njeri njëherë. Mos i thuaj asnjërit. Vetëm mos fol se na prishin punë. Bëj sikur s’di gjë. Se ja kërkova personalisht. E du unë këtë gjë i thashë përveç se e duan të gjithë. Do ju çoj ashtu tha, normal ti i pesti, Liri i shtati”.

Mond Çekiçi, do të ekzekutohej në një atentat mafioz pak ditë pas bisedës që kishte pasur përmes SKY me deputetin Jurgis Çyrbja. Ajo që përbën fakt, është ngjitja në listë e Çyrbes. Jo në vendin e 7-të siç kishte premtuar “Çekiçi”, por në vendin e 3-të, përtej pritshmërive.

“Rrofsh je i madh. Rrofsh vëlla. JOOO. Rrofsh vëlla na ngrite moralin se na kishte ik mendja”, i pëgjigjet Cyrbja Edmond Kocit.

Lista e bërë publike në atë kohë tregon se Jurgis Çyrbja u rendit i treti në garën për deputet, ndërsa personi që flitet si Liri dhe që dyshohet se është deputeti Ilir Ndraxhi renditet i pesti.

“I është lënë një terren shumë i madh dhe paratë e krimit janë shumëfishuar. Këto para kthehen shumë shpesh në blerje votash dhe pak a shumë përfaqësuesit e krimit po bëhen si mëkëmbës apo përfaqësues të drejtpërdrejtë të sovrani”, u shpreh Arben Braçe, ish-drejtor i ekstradimeve.

Përkundër këtyre komunikimeve në Sky ECC, ish-deputeti i Durrësit vazhdon të mbajë qëndrim mohues. Ai këmbëngul se nuk ka përdorur kurrë në jetën e tij aplikacionin Sky ECC.

Pavarësisht pretendimeve të tij, hetuesit janë të bindur se kanë prova të mjaftueshme që vërtetojnë se pas bisedave inkriminuese me njerëzit e krimit, qëndronte pikërisht ish deputeti Jurgis Çyrbja.

Në fashikullin hetimor sqarohet se në ato biseda, ai përmendet me shkurtesat “J”, “JUR”, “JURI”. Bisedat i përkasin periudhës 2020-2021, kur ishte deputet, dhe kandidat i konfirmuar për mandatin e dytë.

Në fakt, Çyrbja u surprizua nga kjo dosje pasi kishte dorëzuar mandatin e deputetit lidhur me hetimin tjetër për akuzën e tjetërsimit të tokave gjatë kohës që drejtonte Kadastrën e Durrësit.

Sot, ai qëndron prapa hekurave për tregim sekreti, përkrahje të autorit të krimit dhe korrupsion në zgjedhje. Akuza që lidhen me transkriptet e zbardhura më sipër.

Postime të lidhura