Aplikacion
Gjykata e Fierit ka dënuar me burgim të përjetshëm Azgan Mërnicën, i cili ekzekutoi me plumb në kokë efektivin e “Shqiponjave”, Novruz Cenalia.
Krimi ndodhi pas një konflikti të çastit mes dy të rinjëve, mesditën e 13 majit të vitit të kaluar, në fshatin Baltëz të Fierit.
Ai është shpallur fajtor për kryerjen e veprave penale “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.
Sipas organit të akuzës, shkaku i sherrit ka qenë futja e Azgan Mernicës me automjet me shpejtësi në kthesë dhe pa kontrolluar rrugën, duke rrezikuar jetën e banorëve të zonës.
Sherri nisi për kalimin e një rruge të ngushtë në fshatin Baltëz, ku jetonte viktima, ndërsa autori i cili jetonte në fshatin pranë, në Sulaj, kalonte shpesh.
Azgan Mërnica e qëlloi me plumb në kokë efektivin, i cili ishte i veshur me uniformë, pasi ishte nisur për të marrë shërbimin. Autori ndodhej me një automjet tip “Audi” bashkë me nënën e tij, Ajete Mërnica, teksa pas krimit u arratis, ndërsa automjetin e la te shtëpia e dajës, rreth 4 km larg vendit të krimit.
Asokohe, Azgan Mërnica u shpall në kërkim prej dy ditësh, teksa Policia kishte ofruar edhe 30 mijë euro shpërblim për këdo që jepte informacion të vlefshëm për kapjen e tij. Ai u vetëdorëzua pas negociatave me Policinë, ndërsa fshihej në fshatin Dërmenas.
“Nga hetimi dhe gjykimi , u provua tej çdo dyshimi të arsyeshëm se, në datë 13.05.2024, rreth orës 13:30, në fshatin Baltëz, Njësia Administrative Dërmenas, Bashkia Fier, i pandehuri Azgan Mërnica ka vrarë me armë zjarri punonjësin e Policisë së Shtetit Novruz Cenalia, i cili mbante veshur uniformën e Forcave Speciale “Shqiponja” që e bënte lehtësisht të shqueshme cilësinë e tij. Konflikti mes viktimës dhe të pandehurit ka lindur për shkak se ky i fundit, ndërsa drejtonte automjetin e tij, është futur në kthesë me shpejtësi, pa kontrolluar rrugën, duke përbërë rrezik për përdoruesit e rrugës.
Viktima i ka tërhequr vëmendjen të pandehurit për këtë veprim, shkak për të cilin i pandehuri ka ndaluar automjetin e tij, ka zbritur prej tij me çantën ku kishte armën e zjarrit dhe ndërsa shkonte drejt viktimës, i cili nuk kishte dalë nga mjeti i tij, ka nxjerrë armën e zjarrit dhe e ka mbushur atë dhe më tej situata ka përshkallëzuar ku i pandehuri Azgan Mërnica duke përdorur armën e zjarrit të llojit pistoletë ka shtënë drejt fytyrës së viktimës Nevruz Cenalia duke i shkaktuar atij vdekjen e menjëhershme,”- thuhej në njoftimin e Prokurorisë./ Zoom.al