zoom

Aktualitet

Vrasja e nxënësit të Profesionales, arrestohet dhe kushëriri i mitur i autorit. Emri dhe roli i tij

Policia e Fierit njoftoi sot se pothuajse ka zbardhur tërësisht dhe ka arrestuar një 17-vjeçar, Klajdi Muka, në lidhje me vrasjen e djeshme të 19-vjeçarit Grei Bihuci.

I dyshuari besohet se është i afërm i autorit të arrestuar, Florjan Muka dhe njëkohësisht i implikuar në krimin e ndodhur dje, në bulevardin “Jakov Xoxa”, pas një sherri të nisur në rrjetet sociale.

Në njoftimin e bluve sqarohet se i mitur në bashkëpunim me 18 vjeçarin Florjan Muka, gjatë një konflikti për motive të dobëta kanë vrarë me thikë Bihucin dhe kanë plagosur një 20-vjeçar, i cili është jashtë rrezikut për jetën.

Paraprakisht bëhet me dije se të ndaluarit janë kushërinj mes tyre, konkretisht djem xhaxhallarësh. Mbi Klajdi Mukën rëndon akuza e bashkëpunimit në vrasje. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar një mjet prerës (thikë) dhe një përforcues grushti, të cilat janë gjetur në vendin e ngjarjes. 

“Në vijim të informacionit paraprak të dhënë ditën e djeshme, për ngjarjen e ndodhur reth orës 11:30, në bulevardin “Jakov Xoxa”, Fier, informojmë se në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Fier, në drejtimin e Prokurorisë, u arrestuan në flagrancë shtetasit F. M., 18 vjeç, banues në Fier dhe K. M., 17 vjeç, banues në fshatin Kallm i Madh, Fier.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta 2 shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pas një konflikti për motive të dobëta, kanë vrarë me mjet prerës (thikë), shtetasin G. B., 19 vjeç, dhe kanë plagosur shtetasin O. S., 20 vjeç, i cili është në spital, jashtë rrezikut për jetën”, tha policia vendore sot.

Dosja për hetime i kaloi prokurorisë vendore. Bihuca ishte nxënës i vitit të dytë i shkollës profesionale të mesme “Petro Sota”, për TIK dhe gjithashtu punonte si kamerier për të mbajtur familjen. /ZOOM.AL/

Postime të lidhura