Aplikacion
Gjykata në Kosovë ka dhënë vendimin për një nga ngjarjet më të rënda të viteve të fundit në veri të vendit, sulmin e armatosur në Banjskë, ku mbeti i vrarë efektivi i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Në vendimin e shpallur, Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me burgim të përjetshëm dy prej të akuzuarve, Bllagoje Spasojeviç dhe Vladimir Toliç, ndërsa Dushan Maksimoviç është dënuar me 30 vite burg. Të tre ata janë shpallur fajtorë për përfshirje në sulmin e armatosur të 24 shtatorit 2023, që tronditi sigurinë e vendit dhe u cilësua si akt terrorist nga autoritetet kosovare.
Sipas aktakuzës, të pandehurit janë pjesë e një grupi më të gjerë prej 45 personash, i dyshuar për organizimin dhe ekzekutimin e sulmit. Në këtë dosje përmendet edhe ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiç, i cili konsiderohet nga prokuroria si një nga figurat kryesore të grupit të armatosur dhe që ka marrë përgjegjësinë për ngjarjen.
Gjykata ka vendosur që procedura ndaj tre të dënuarve të zhvillohej veçmas, pasi ata ndodhen në paraburgim që prej momentit të ngjarjes, ndërsa për pjesën tjetër të të dyshuarve është refuzuar kërkesën për gjykim në mungesë.
Pas vendimit, kryeparlamentarja dhe ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, e ka cilësuar vendimin si një mesazh të qartë se sulmet ndaj shtetit dhe rendit kushtetues nuk do të mbeten pa ndëshkim. Ajo theksoi se drejtësia do të konsiderohet e plotë vetëm kur të gjithë përgjegjësit, përfshirë edhe Radoiçiçin, të dalin para gjykatës.
Rreshteri Afrim Bunjaku u vra në pritë nga grupi i armatosur në 2023 në veri të Kosovës. Më pas, grupi terrorist u vendos për orë të tëra në Manastirin e Banjskës, nga ku ata kanë qëlluar me armë zjarri mbi Policinë e Kosovës.
Tre terroristë, nga shkëmbimi i zjarrit janë vrarë, disa u arrestuan dhe një sasi e madhe armësh u sekuestrua./ Zoom.al
Festa e çmendur për titullin botëror të Spanjës përfundon në tragjedi, humb jetën 13-vjeçari