Aplikacion
Sinoptikani Elvi Jahaj ka bërë parashikimin e motit për ditët e fundit të vitit dhe për periudhën e ndërrimit të viteve, duke paralajmëruar kushte të theksuara dimërore në të gjithë vendin.
Sipas tij, fundjava e fundit e vitit do të karakterizohet nga mot i kthjellët, por shumë i ftohtë. Reshjet e dëborës në zonën e Korçës pritet të ndërpriten gradualisht gjatë orëve në vijim, ndërsa i gjithë territori do të ndikohet nga masa ajrore të ftohta dhe acare. Do të ketë vranësira të pakta, kryesisht në zonat malore.
Temperaturat minimale gjatë fundjavës parashikohen të zbresin nga -3 deri në -4 gradë Celcius në zonat malore, ndërsa në Ultësirën Perëndimore do të luhaten nga -1 deri në 0 gradë Celsius.
Më të ftohta do të jenë ditët nga e hëna dhe e marta, deri në natën e Vitit të Ri dhe 1 janarin. Në këto data, temperaturat minimale në relievet malore pritet të arrijnë në -8 deri në -9 gradë Celcius, në zonat e ulëta -4 deri në -5 gradë, ndërsa në bregdet nga 0 deri në -1 gradë Celcius.
Sa i përket temperaturave të mesditës, gjatë fundjavës ato do të shënojnë vlera relativisht më të larta, rreth 13–14 gradë Celcius, por gjatë ndërrimit të viteve nuk do të kalojnë 7–8 gradë Celcius në Ultësirën Perëndimore.