zoom

Politikë

Video skandali në zyrë, qeveria shkarkon Safet Gjicin

Qeveria ka shkarkuar nga detyra, kryetarin e Bashkisë së Kukësit, Safet Gjicin, i cili u filmua në zyrë duke kryer marrëdhënie seksuale.

“Morëm vendimin për shkarkim të menjëhershëm të kryetarit të bashkisë së Kukësit,”- tha ministrja Ibrahimaj, në konferencën pas mbledhjes së qeverisë, pasi u pyet nga gazetarët.

Ndonëse vetë Gjici dha dorëheqjen paraprakisht, ai duhet të shkarkohet nga qeveria për t’u larguar nga posti.

Por çfarë ndodh me Bashkinë e Kukësit pas dorëheqjes së Safet Gjicit?

Në fakt, Safet Gjici ende nuk ishte betuar si kryetar i Bashkisë së Kukësit, pasi mori mandatin e dytë në zgjedhjet e 14 majit.

Në një situatë të tillë, drejtimin e përkohshëm të bashkisë e merr nënkryetari aktual i Bashkisë së Kukësit, deri në shpalljen e zgjedhjeve të pjesshme nga Presidenti i Republikës.

Proceduralisht, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të shpallë vakancën në Kryesinë e Kuvendit dhe më pas kjo e fundit çon kërkesën në Presidencë. Përcaktimi i datës për zgjedhje të pjesshme vetëm për Bashkinë e Kukësit më pas ngelet në dorë të Presidentit të Republikës.

Në zgjedhje, qytetarët do të kenë mundësi të votojnë vetëm për kryetarin e bashkisë dhe jo për anëtarët e Këshillit Bashkiak./ Zoom.al