Aplikacion
Një incident u regjistrua mbrëmjen e djeshme në Korçë, ku 26-vjeçari Kostandin Dramolli, i njohur me emrin artistik “Çekiçi 14”, theu xhamat e godinës së Bashkisë në shenjë proteste ndaj aksioneve për lirimin e hapësirave publike.
Dramolli e filmoi gjithë veprimin e tij dhe e shpërndau në kohë reale në rrjetet sociale. Në video, ai i drejtohet kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut të Korçës, Sotiraq Filo, duke thënë se do të marrë hak pse i shkatërruan lagjen.
Dramolli përdor fjalor banal dhe kërcënues ndaj Ramës dhe Filos, teksa shpjegon veprimin e tij.
“Shiko si sulmohet bashkia”, thotë ai dhe më pas gjuan me gurë në drejtim të godinës.
Dramolli shton në video se nuk i trembet burgut, ndërsa paralajmëron kryeministrin se e ka fundin afër.
Sipas tij, protesta erdhi pas prishjes së disa strukturave në lagjen nr. 14, ku ai jeton prej vitesh.
Pas incidentit, policia ndërhyri menjëherë dhe arrestoi 26-vjeçarin.
Kostandin Dramolli është ish-portier futbolli, ku ka luajtur me ekipe si Skënderbeu (kampion me U-19), Bylis, Pogradeci, Maliqi dhe Pierikos në Greqi.

Prej disa kohësh ai ka lënë sportin për t’u marrë me muzikën rap, duke krijuar identitetin e tij rebel me nofkën “Çekiçi 14”./ Zoom.al
Videoja e plotë me përmbajtje +18