Aplikacion
Një skenë e ngjashme me rastin e porto Romanos, që u reklamua si një investim i jashtëm, por po e paguajnë shqiptarët, po ndodh edhe në Sazan, ishullin që iu dha familjes Trump.
Sipas disa burimeve jozyrtare, qeveria shqiptare po ndryshon fshehurazi marrëveshjen për resortin në Sazan, duke i kaluar taksapaguesve kostot e energjisë, ujit, impiantit, pastrimit të minave, portit të jahteve dhe studimeve me miliona euro.
Burimet thonë se qeveria Rama po ndryshon përmbajtjen e Vendimit nr. 23, datë 30 dhjetor 2024, duke zhvendosur detyrimet që duhet të mbulonte kompania private “Atlantic Incubation Partners” tek buxheti i shtetit. Fillimisht, në vendim parashikohej që vetë kompania do të ndërtonte dhe financonte linjat 15 km për energji dhe ujë nga Vlora në Sazan, rrjetin e ujërave të ndotura, impiantin e përpunimit të mbetjeve dhe evadimin e tyre.
Por Grupi i Negocimit të Marrëveshjes, nën drejtimin e ministrit Blendi Gonxhe, ka kërkuar që këto kosto të mbulohen nga shteti shqiptar. Gjithashtu, janë shtuar edhe dy projekte të tjera: një port jahtesh dhe një aerodrom në ishull, të dyja në shërbim të resortit, me financim publik.
Vlerësimi paraprak tregon se vetëm për ndërtimin e këtyre elementeve infrastrukturore do të shpenzohen rreth 125 milionë euro nga fondet publike.
Në pikën 6 të vendimit qeveritar thuhet se zona ku do ndërtohet resorti ka mbetje luftarake dhe eksplozivë të mbetur nga periudha kur Sazani shërbente si bazë ushtarake. Kostoja e pastrimit të zonës parashikohet 11 milionë euro, të gjitha nga buxheti i shtetit.
Në pikën 13 të vendimit, shteti shqiptar merr përsipër edhe financimin e ekspertizave teknike, ligjore, financiare dhe mjedisore që do të kryhen nga ekspertë vendas dhe të huaj në shërbim të projektit. Për këtë proces parashikohen 6 milionë euro të tjera nga buxheti publik.
Në total, shteti shqiptar do të shpenzojë 142 milionë euro për një resort që do të jetë pronë dhe fitim privat i familjes Trump. Justifikimi zyrtar është se ky është “një investim strategjik, që do fuqizojë ekonominë, turizmin, dhe do rrisë prestigjin ndërkombëtar të vendit”.
Qeveria ka tentuar vazhdimisht të manipulojë perceptimin e realitetit për shqiptarët, duke i reklamuar projekte të mëdha luksi dhe se si ata do të përfitojnë, por duke fshehur kostot reale, financiare, shoqërore, apo mjedisore.
Edhe pse ligji detyron investitorët e bizneset të bëjnë investime në shërbim të qytetarëve, si një shpërblim moral për shfrytëzim e të mirave natyrore, në Shqipëri ndodh e kundërta. Lajmet e publikuara vetëm javën e parë të korrikut vërtetuan se Shqipëria s’i përket shqiptarëve, por atyre që e shfrytëzojnë.
Siç shkruante Mahmud Dervish, për Palestinën e pushtuar: “Nuk e di kush e shiti tokën, por di kush e pagoi çmimin!”/Zoom.al



ARRSH hap tenderin 5.24 milionë euro për lidhjen e Unazës Verilindore me Rrugën e Arbërit