zoom

Politikë

Vendimi i Metës/ Bushati: Gjykata vepron në trysninë e një regjimi që ka kapur gjithçka

Bushati tha se nuk mund të besojë në një drejtësi ku dhe Gjykata Kushtuese është në trysninë e një regjimi që ka kapur gjithçka.

“Edhe mua nuk më duket vendimi perfekt, por nuk më duket perfekt se e shoh si organ të drejtësisë së re, që gjithsesi është në trysninë e një regjimi që ka kapur gjithçka. Të arrijë kjo gjykatë të justifikojë në parlament që ka bërë procedura banditësh, me një komision që nuk e dimë akoma a ishte hetimor apo jo.

Pra, një gjykatë serioze s’do i hynte fare çështjes a ka bërë Meta çështje por do reduktohej në një Kuvend që është sjellë si bandë e organizuar. Kjo gjykatë ka legjitimuar komisionin e parlamentit, kjo tregon që është hallkë e drejtësisë së re, që i trembet Ramës e Rilindjes”,  tha Bushati.

Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese vendosi të mos e shkarkojë presidentin Ilir Meta.

Në njoftimin e saj Gjykata Kushtetuese shpjegon se “pasi verifikoi procedurën e ndjekur nga Kuvendi për ngritjen e komisionit hetimor, garantimin e së drejtës së Presidentit për t`u dëgjuar dhe për t`u mbrojtur dhe duke mbajtur në konsideratë pavarësinë organizative të Kuvendit, në tërësi konstatoi se nuk ka pasur shkelje kushtetuese gjatë kësaj procedure”.

Gjatë procesit, këshilltarët ligjorë të Kreut të Shtetit e mbështetën në mënyrë të veçantë mbrojtjen e tyre, pikërisht te shkeljet e rënda që sipas tyre ishin kryer nga parlamenti që nga momenti i shqyrtimit të kërkesës së deputetëve që vunë në lëvizje parlamentin, deri në marrjen e vendimit.

Nga ana tjetër, shkeljet e pretenduara nga përfaqësuesit e shumicës socialiste, për Gjykatën Kushtetuese nuk mund të konsiderohen si shkelje të rënda të Kushtetutës.