Aplikacion
Pas thirrjeve për shkarkimin e tij nga Shtëpia e Bardhë dhe Melania Trump, prezantuesi amerikan i talk-show-t Jimmy Kimmel ka mbrojtur një shaka që bëri, në të cilën e quajti Zonjën e Parë një “vejushë në pritje” vetëm disa ditë para incidentit të fundit me të shtëna në Darkën e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë.
Prezantuesi bëri shakanë të enjten e kaluar (23 prill), gjatë emisionit të tij Jimmy Kimmel Live!.
“Zonja jonë e Parë, Melania, është këtu. Shikoni Melanian, kaq e bukur. Zonja Trump, keni një shkëlqim si një vejushë në pritje”, tha ai.
Ndërsa të shtunën (25 prill), një person i armatosur qëlloi disa herë në hotelin Hilton në Uashington, përpara se të arrestohej nga policia.
Në një postim në Truth Social, presidenti amerikan tha se Disney dhe ABC duhet ta shkarkojnë menjëherë komedianin.
Shfaqja e Kimmel u pezullua përkohësisht nga ABC vitin e kaluar pas vrasjes së Charlie Kirk dhe thirrjeve të Trump për shkarkimin e prezantuesit të talk-show-t.
Zonja e Parë postoi gjithashtu në X se “njerëz si Kimmel nuk duhet të kenë mundësinë të hyjnë në shtëpitë tona çdo mbrëmje për të përhapur urrejtje”.
“Monologu i tij për familjen time nuk është komedi – fjalët e tij janë gërryese dhe thellojnë sëmundjen politike brenda Amerikës. (…) Sa herë do ta mundësojë udhëheqja e ABC-së sjelljen e tmerrshme të Kimmel-it në kurriz të komunitetit tonë?”
Kimmel u shpreh se “padyshim, ishte një shaka për ndryshimin e moshës së tyre dhe shprehjen e gëzimit që shohim në fytyrën e saj sa herë që janë bashkë”.
“Ishte një shaka shumë e lehtë për faktin se ai është pothuajse 80 vjeç dhe ajo është më e re se unë. Nuk ishte një thirrje për vrasje. Dhe ata e dinë këtë. Por e kuptoj që zonja e parë pati një përvojë stresuese gjatë fundjavës, dhe ndoshta çdo fundjavë është mjaft stresuese në atë shtëpi,” vazhdoi ai. “Dhe gjithashtu, pajtohem që retorika e urrejtjes dhe dhunës është diçka që duhet ta hedhim poshtë. Unë e pranoj, dhe mendoj se një vend i mirë për të filluar ta kundërshtojmë këtë do të ishte të bisedonit me burrin tuaj për këtë. Donald Trump lejohet të thotë çfarë të dojë të thotë, ashtu si ju dhe ashtu si unë. Sepse sipas Amendamentit të Parë, ne, si amerikanë, kemi të drejtë për lirinë e fjalës.”
ARRSH hap tenderin 5.24 milionë euro për lidhjen e Unazës Verilindore me Rrugën e Arbërit