zoom

Kosova

Vdekja e 27-vjeçarit/ Lirohen nga qelia pesë policët

Vdekja e 27-vjeçarit/ Lirohen nga qelia pesë policët

Gjykata e Apelit ua ka ndërprerë masën e paraburgimit pesë zyrtarëve policorë, të cilët dyshohen për veprën penale “vrasje nga pakujdesia” të 27-vjeçarit, Agon Zejnullahu.

Kështu ka bërë të ditur avokati Besnik Berisha, mbrojtësi i një nga të dyshuarve për këtë rast.

“Kjo nuk ishte thjesht një betejë për lirimin e pesë zyrtarëve, ishte një betejë për arsyen, për të drejtën dhe për të mos lejuar që frika nga opinioni ta zëvendësojë ligjin,”- shkroi ai në Facebook.

Agon Zejnullahu, 27 vjeç vdiq në orët e para të 7 korrikut, pasi ishte arrestuar nga policia në Lipjan. Vdekjen e tij në vendngjarje e kishte konstatuar edhe ekipi mjekësor.

Policia ka thënë se i ndjeri dyshohet se ka qenë nën ndikimin e alkoolit, duke sulmuar automjete e kalimtarë, kur është ndaluar nga autoritetet e rendit.

Por, familjarët dhe avokati i tyre, kanë thënë se policia ka përdorur forcë të tepruar ndaj 27-vjeçarit.

Ngjashëm janë shprehur edhe disa përfaqësues të shoqërisë civile, pasi kanë parë disa pamje që kanë qarkulluar në internet.

Komandanti i Policisë për rajonin e Lipjanit, Argjend Gashi dha dorëheqjen pas vdekjes së Zejnullahut./ Zoom.al