Aplikacion
Në një intervistë të dhënë për mediat greke, nëna e 19-vjeçares shqiptare që humbi jetën tragjikisht në Greqi ka folur mes dhimbjes së madhe për humbjen e vajzës së saj.
E reja, e identifikuar si Mirto, ndërroi jetë pas një ataku kardiak, për të cilin dyshohet se mund të ketë ndikuar edhe konsumimi i substancave narkotike, të cilat, sipas hetimeve, i ishin dhënë nga tre persona tashmë të arrestuar.
E ëma e saj ka treguar se çdo ditë përballet me dhimbjen e rëndë të mungesës së vajzës dhe me pyetje që, sipas saj, nuk marrin përgjigje.
“Pse e hodhën tutje? Pse e lanë të vdiste? Pse e hodhën tutje si plehra? Pse po i numëroj ditët pa fëmijën tim?
Dua që ata të ndëshkohen. Fëmija im kishte një shpirt të mirë, të bukur… Mos u humbisni më vajza të reja”, është shprehur ajo mes lotësh, duke kërkuar që autorët të marrin ndëshkimin e merituar.
Ajo ka rrëfyer se jeta e saj është ndryshuar plotësisht që nga ajo natë tragjike dhe se çdo ditë e jeton me mungesën e vajzës së saj.
Nëna e 19-vjeçares, e cila punon si infermiere, ka treguar se ishte ajo që u përball e para me realitetin tragjik në spital, duke parë vajzën e saj pa jetë.
19-vjeçarja, për vdekjen e së cilës tre persona janë lënë në paraburgim, dyshohet se ka përdorur dy herë kokainë, gjë që vërtetohet nga testet toksikologjike.
Sipas mediave greke dhe hetimeve paraprake, e reja ishte në një dhomë hoteli me tre të rinj të tjerë kur dyshohet se u konsumuan lëndë narkotike. Në një moment ajo ka humbur ndjenjat.

Në vend që të njoftohej menjëherë ndihma mjekësore, dyshohet se të rinjtë e kanë nxjerrë nga hoteli dhe e kanë lënë në një shesh në qytet. Ajo është gjetur më vonë pa ndjenja dhe është transportuar me urgjencë në spital, ku mjekët nuk kanë mundur ta shpëtojnë.
Pamjet e kamerave të sigurisë kanë dokumentuar momentin kur trupi i saj nxirret nga hoteli dhe lihet në rrugë, ndërsa më pas personat largohen nga vendngjarja./ Zoom.al