Aplikacion
Moti në Shqipëri do të dominohet nga temperatura shumë të larta gjatë fundjavës, ndërsa vendi do të mbetet nën ndikimin e masave ajrore të nxehta që kanë përfshirë një pjesë të madhe të Evropës.
Parashikimet tregojnë se në disa zona termometri do të shënojë deri në 41 gradë Celsius, duke e bërë fundjavën ndër më të nxehtat e kësaj vere.
Kushtet atmosferike pritet të jenë kryesisht të qëndrueshme, me qiell të kthjellët dhe intervale të gjata me diell në pothuajse të gjithë territorin. Vetëm në zonat malore mund të shfaqen vranësira të lehta gjatë orëve të pasdites.
Edhe ditët e para të javës së ardhshme do të vijojnë me të njëjtën situatë, ku temperaturat maksimale do të luhaten mes 40 dhe 41 gradë Celsius. Erërat do të jenë përgjithësisht të dobëta deri mesatare, ndërsa deti pritet të ketë valëzim të ulët.
Ndryshimi i parë i rëndësishëm i kushteve atmosferike pritet të shfaqet në mesin e javës. Sipas parashikimeve, do të ketë shtim të vranësirave, të cilat do të sjellin reshje shiu me intensitet të ulët në pjesën më të madhe të vendit. Në disa zona reshjet mund të marrin formën e shtrëngatave afatshkurtra, të shoqëruara edhe me shkarkesa elektrike.
Paralelisht me përkeqësimin e motit, pritet edhe një ulje e ndjeshme e temperaturave. Maksimumet do të zbresin në rreth 35–36 gradë Celsius, duke sjellë një lehtësim të valës së të nxehtit që do të dominojë gjatë fundjavës dhe fillimit të javës./ Zoom.al