Aplikacion
Chermen Valiev, mundlsi që garoi për Shqipërinë dhe shpall Kampion Europe, komentoi gjestet e dhunshme dhe fjalorin e përdorur nga zyrtarët e Federatës ruse të Mundjes gjatë dorëzomit të medaljeve.
Zv.presidenti i Federatës Ruse së Mundjes i vendosi me dhunë medaljen e artë të kampionit Valievit dhe më pas e quajti tradhtar.
Por Valiev e kaloi me sportivitet këtë situatë dhe tha se është i përqendruar te fitorja.
“Ndoshta ishte i emocionuar sepse unë dola në finale dhe bëra një ndeshje me kampionin rus, me ish-kampionin olimpik. Ai ndoshta kishte shpresa që kampioni rus do merrte medalje ari dhe në emocione nuk e mbajti dot veten. Tha disa fjalë të ashpra, që unë më parë përfaqësoja Rusinë dhe tani Shqipërinë. Nuk më mërziti aspak. E harrova këtë moment shumë shpejt dhe u mundova të shijoja medaljen, sepse për herë të parë u bëra kampion Europe. Kam marrë shumë mesazhe urimi, edhe sot vijojnë mesazhet. Më mbështesin dhe fansat e mi në Rusi, edhe fansat e mi në Shqipëri.
Familja ime më mbështet. Ata janë të lumtur që unë mora medaljen e artë. Unë ndihem shkëlqyeshëm dhe jam i lumtur që i solla medaljen e artë Shqipërisë.
Mund të them që medalja e bronzit që mora në Paris ishte shumë moment i bukur, por kjo ishte medalje ari dhe i gëzohem më shumë”, tha Valiev gjatë një interviste./ Zoom.al