Aplikacion
Një 11-vjeçar nga Tirana, i cili u raportua i zhdukur një ditë më parë, është gjetur mëngjesin e sotëm në ambientet e Porti i Durrësit. Pas ngjarjes ka reaguar nëna e tij, e cila ndau detaje mbi orët e ankthit që përjetoi familja.
Sipas saj, djali ishte nisur si zakonisht për në shkollë me furgonin e institucionit arsimor, por nuk kishte mbërritur në destinacion. Ka qenë mësuesja ajo që e ka njoftuar për mungesën e tij, çka e ka alarmuar menjëherë.
E shqetësuar, ajo është drejtuar fillimisht drejt shkollës dhe më pas ka nisur kërkimet në lagje, me shpresën se i mituri mund të ishte larguar për të luajtur. Megjithatë, asnjë gjurmë nuk u gjet. Familjarët verifikuan edhe kamerat e sigurisë së shkollës, por pa rezultat.
Rreth orës 17:30, nëna iu drejtua komisariatit për të bërë denoncimin për zhdukjen e djalit, ndërsa procedurat u përmbyllën zyrtarisht mëngjesin e sotëm.
Ajo u telefonua nga një grua, e cila e informoi se 11-vjeçari ishte parë në Portin e Durrësit. Sipas saj, djali kishte shprehur dëshirën për të shkuar në Kosovë, por ishte ndaluar nga personat që e kishin vënë re. Pas telefonatës, nëna lajmëroi menjëherë të vëllanë, i cili u nis drejt portit, ndërsa në vendngjarje mbërriti edhe policia. I mituri u gjet shëndoshë e mirë.
Në rrëfimin e saj, nëna pranoi se disa ditë më parë e kishte ndëshkuar djalin pasi e kishte kapur duke pirë cigare me një shok. Si masë, ajo i kishte hequr paratë e xhepit, duke e paralajmëruar për gabimin e bërë.
Ajo theksoi se ende nuk e di si ka arritur djali të shkojë nga Tirana deri në Durrës, por shpreson ta zbulojë për të shmangur një situatë të ngjashme në të ardhmen.
“Djalin unë e kam nisur për në shkollë, me furgonin e shkollës dhe në momentin që djali nuk ka shkuar në shkollë mua më ka njoftuar mësuesja. Jam zgjuar dhe kam shkuar tek shkolla, kam kërkuar nëpër lagje, me atë idenë që mos ka ikur për ndonjë lojë por ai nuk ekzistonte në lagje Kemi hapur kamerat e shkollës por s’kemi parë gjë. Ku s’e kam kërkuar dje dhe nuk kisha asnjë kontakt. Pastaj nga ora 5 e gjys kam ardhur në Komisariat por kallëzimin e përfundova sot.
Sot që bëra kallëzimin më merr një grua në telefon pas dy orësh dhe më thotë “djali juaj është parë në portin e Durrësit”. Djali i tha asaj gruas se donte të shkonte në Kosovë, por ajo i tha: “Jo do rrish këtu me ne”. Djali filloi të qante. Telefonoj vëllain dhe ai niset direkt për atje dhe aty ka dalë patrulla dhe kanë gjetur djalin. Unë e kisha “dënuar” sepse para disa ditësh kishte pirë cigare me një shok “mistrec”, dhe i kisha thënë që nuk do të të jap më lekë për bukë sepse ke bërë një gabim tek shkolla.
Nuk ia kam idenë si ka shkuar deri në Portin e Durrësit por shpresoj që ta zbuloj! Dua ta zbuloj sepse nesër mund të më ndodhë prapë kjo gjë, dhe do i lutesha çdo nëne të mos e linin fëmijën vetëm. Unë si nënë, e kam përjetuar shumë keq dhe nuk do e lë më vetëm asnjëherë në botë. Sepse qenka një dhimbje shumë e madhe, edhe gëzim edhe dhimbje, por mendoj që sot duhet t’i përkushtohemi më shumë fëmijëve”, tha nëna./ Zoom.al