Aplikacion
Policia ka arrestuar 51-vjeçarin me iniciale S. Xh., banues në Tiranë, pas ngjarjes së ndodhur një ditë më parë në zonën bregdetare të njohur si “Shkëmbi i Kavajës”, ku një turist belg u përplas me Jet Ski.
Arrestimi i tij u bë për veprat penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Sipas informacioneve, 51-vjeçari i kishte dhënë me qira mjetin turistit me iniciale H. K., pa marrë parasysh masat e nevojshme të sigurisë dhe në kundërshtim me ligjin, pasi shtetasi belg nuk ishte i pajisur me leje drejtimi për këtë kategori mjetesh uji.
Gjatë përdorimit të mjetit, turisti pësoi një incident dhe u dëmtua gjatë manovrave në det. Aktualisht ai ndodhet në spitalin e Traumës, nën kujdesin e mjekëve.
Njoftimi:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Plazh arrestuan në flagrancë shtetasin S. Xh., 51 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Nga veprimet hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë, për ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, në zonën e quajtur “Shkëmbi i Kavajës”, rezultoi se shtetasi S. Xh. i ka dhënë me qira një mjet lundrues Jet Ski, pa masat e sigurisë të nevojshme, shtetasit belg H. K., i cili nuk është i pajisur me leje drejtimi për këtë kategori mjetesh. Gjithashtu, shtetasi S. Xh., gjatë kryerjes së veprimeve procedurale, ka dhënë informacione të rreme për rastin.
Shtetasi H. K., që u dëmtua gjatë manovrave me mjetin lundrues, vijon të jetë në spital, në kujdesin e mjekëve.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.