zoom

Ide & Blog

Truku i ligjërimit apokaliptik

Ligjërimi apokaliptik është një nga karakteristikat themelore të fushatës elektorale aktuale. Opozitarët (politikanë, media dhe analistë) deklarojnë se një mandat i tretë i Ramës do të shënojë fundin e demokracisë shqiptare. Kryeministri do të forcohet aq shumë nga vazhdimi në pushtet saqë do të vendosë një diktaturë të mirëfilltë në Shqipëri, e tipit Enver apo Erdogan.

Ndaj i ftojnë shqiptarët të votojnë kundër Ramës dhe pro opozitës për të shpëtuar demokracinë e brishtë shqiptare. Pothuajse të njëjtën fabul tjerr Kryeministri Rama dhe Partia Socialiste. I vetmi ndryshim është se në këtë rast fundin e demokracisë e shënon ardhja në pushtet e Sali Berishës dhe Ilir Metës. Berisha është një diktator i njohur që ka hedhur në erë njerëz në Gërdec dhe ka vrarë protestues në shesh.

Meta është një hajdut i provuar, që siç ka shkatërruar sot institucionin e Presidencës, do të shkatërrojë nesër demokracinë dhe shtetin shqiptar. Gjithnjë sipas pozitës.

E vërteta është shumë më pak dramatike, por shumë më e trishtë. Mbetja në pushtet e Ramës apo ardhja në pushtet e opozitës nuk do të shënojë asnjë ndryshim themelor të demokracisë sonë.

Vazhdimi i Ramës në pushtet do të prodhojë të njëjtën qeverisje si sot, me të njëjtën arrogancë, me të njëjtët oligarkë të djeshëm dhe të pardjeshëm, që do të prodhojë të njëjtën pakënaqësi si sot me kapjen e shtetit nëpërmjet koncesioneve apo partneriteteve publike-private.

Po kështu, ardhja në pushtet e Berishës, Bashës dhe Metës as nuk do ta shpëtojë dhe as nuk do ta varrosë demokracinë shqiptare. Thjesht do ta mbajë aty ku është dhe ku ka mbetur këto 20 vitet e fundit. Qeverisjen PD-LSI do ta njohim mirë. LSI do të zhvasë, tashmë pa frikë nga ndëshkimi, copën e saj të shtetit, familja e Berishës do të vazhdojë të pasurohet dhe Luli do të mbetet i punësuar në PD.

Në të dyja rastet demokracia shqiptare do të korruptohet edhe më tej, do të vazhdojë të prodhojë pakënaqësi dhe largimin e shqiptarëve, por nuk do të vdesë dhe as do të kthehet në diktaturë. Kjo për faktin e thjeshtë se si Rama, si Meta, si Berisha, pa folur për Bashën, nuk kanë ndonjë legjitimitet të thellë në shoqërinë shqiptare. Ndaj asnjëri prej tyre nuk mundet të prodhojë diktaturë, thjesht do të riprodhojnë stanjacionin aktual.

Dhe kjo është e vërteta jodramatike, por e rëndë, që fsheh ligjërimi apokaliptik. Si vota për pozitën, si ajo për opozitën, nuk do të ndryshojë asgjë në sistemin tonë politik dhe aq më pak në jetën e qytetarit të thjeshtë. Midis pozitës dhe opozitës në fakt nuk ka zgjedhje reale. Janë parti dhe kandidatë që në 30 vitet e fundit e kanë sjellë Shqipërinë në derexhenë aktuale, sa në opozitë, sa në bashkëqeverisje me njëritjetrin.

Urgjenca për të shpëtuar demokracinë nga pozita apo opozita, alarmi që prodhojnë politikanët, mediat dhe analistët për ta shtyrë qytetarin të rrëzojë Ramën, Metën apo Berishën janë truke prestidigjitatori, që hutojnë dhe trullosin qytetarin, për të mos parë se si pozita dhe opozita ofrojnë pothuajse të njëjtin model qeverisjeje.

Ligjërimi apokaliptik është një truk që nuk lejon qytetarin të mendojë dhe shohë me qetësi realitetin tonë politik, ku përveç krizës, ka edhe shpresë. Sot në sferën tonë politike po hyjnë aktorë të rinj që nuk janë produkt i klasës politike tradicionale që ofrojnë alternative qeverisëse cilësisht të ndryshme nga binomi pozitë-opozitë.

Por edhe nëse qytetarëve nuk i pëlqen asnjë prej këtyre aktorëve apo alternativave të reja, ata përsëri kanë zgjedhje. Të refuzosh të zgjedhësh është në vetvete një zgjedhje. Ata mund t’i vënë një kryq të madh fletës së votimit për të shprehur pakënaqësinë e tyre me ofertat aktuale. Asnjë qytetar nuk është i dënuar të votojë dhe riciklojë dy apo tri të këqijave të stërprovuara, sikurse pretendon ligjërimi apokaliptik.