Aplikacion
Qarku i Korçës është tronditur nga dy raste vetëvrasjeje të ndodhura brenda pak orësh. Viktimat janë një 20-vjeçar nga Pogradeci dhe një 37-vjeçar nga Maliqi, të cilët dyshohet se i kanë dhënë fund jetës në mënyrë tragjike, përmes vetëvarjes.
Ngjarja e fundit u shënua rreth orës 14:40 të ditës së sotme në fshatin Rrëmenj të Pogradecit. Sipas informacioneve paraprake, 20-vjeçari G.D. u gjet pa shenja jete nga banorët e zonës, në një zonë kodrinore, pa shenja dhune. Dyshohet se i riu ka kryer vetëvrasje.
Pak orë më herët, një tjetër rast i ngjashëm ndodhi në fshatin Sovjan të Maliqit, ku një 37-vjeçar u gjet i vetëvarur nga familjarët. Edhe në këtë rast nuk janë konstatuar shenja dhune, ndërsa familjarët kanë deklaruar se viktima nuk kishte konflikte dhe nuk kishte shfaqur shqetësime të dukshme.
Grupet hetimore, nën drejtimin e prokurorive përkatëse, po punojnë për të zbardhur rrethanat e plota të dy ngjarjeve.
Ngjarjet e rënda ngrenë shqetësime serioze për gjendjen e shëndetit mendor, veçanërisht në zonat rurale të vendit, ku mbështetja psikologjike mungon thuajse plotësisht./ Zoom.al