Aplikacion
Një ngjarje tronditëse është zbuluar në Greqi, ku dy gra, nënë e bijë, janë gjetur të pajeta dhe të fshehura brenda banesës së tyre.
Sipas mediave vendase, autori i dyshuar është djali i familjes, njëkohësisht vëllai i viktimës 56-vjeçare. Ai dyshohet se ka kryer krimin dhe më pas ka tentuar të fshehë ngjarjen duke manipuluar informacionin përpara autoriteteve.
Fillimisht, ai ka pretenduar se motra e tij kishte ndërruar jetë si pasojë e një sëmundjeje të rëndë, ndërsa për nënën nuk kishte dhënë shpjegime të qarta. Megjithatë, hetimet zbuluan se e vërteta ishte ndryshe.
Trupi i vajzës ishte fshehur prej rreth tre muajsh brenda një prej dhomave të shtëpisë, ndërsa pranë saj u gjet edhe trupi i nënës, e cila dyshohet se ishte vrarë pak ditë më pas.
Ngjarja u zbulua pas denoncimeve të fqinjëve, të cilët kishin ngritur dyshime për zhdukjen e dy grave. Policia ndërhyri menjëherë dhe gjatë kontrollit të banesës konstatoi shenja të dyshimta, përfshirë një derë të mbuluar me material ndërtimi.
Pas verifikimeve të mëtejshme, u zbuluan trupat e fshehur, duke konfirmuar dyshimet për një krim të rëndë. Autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht motivet dhe rrethanat e ngjarjes./ Zoom.al