zoom

Aktualitet

Tritoli ndaj gjyqtarit Stërkaj në Shkodër, KLGJ e merr në mbrojtje për 6 muaj. Ende asnjë i ndaluar

Pas ngjarjes së rëndë, nisjes së hetimeve, masave paraprake mbrojtëse dhe reagimeve, Këshilli i Lartë Gjyqësor ka marrë vendimin në lidhje me gjyqtarin e Shkodrës, Tonin Stërkaj, të cilit iu vu tritol në banesë ditën e djeshme.

Konfirmohet zyrtarisht se KLGJ mori në mbrojtje gjyqtarin Stërkaj për gjashtë muajt e ardhshëm, teksa apelon ndaj institucioneve ligjzbatuese që të zbardhin ngjarjen dhe të vendosin para ligjit autorët e krimit.

Ndërkohë që Garda e Republikës dhe Policia e Shtetit kanë vendosur të marrin në ruajtje banesën e gjyqtarit menjëherë pas sulmit. Për fat të mirë nuk pati të lënduar, por kërcënimi ndaj magjistratit ka qenë serioz dhe paralajmërues.

Kamerat kapën autorin teksa vendos tritolin dhe largohet me vrap në rrugicë. Policia tha se nisi hetimet bashkë me Prokurorinë, por deri tani nuk ka ende asnjë të arrestuar.

Ministri Balla pak më parë njoftoi se hetimet vijojnë dhe priten rezultate. Ai ka deklaruar se ajo që ndodhi ditën e djeshme me eksplozivin e vënë në banesën e gjyqtarit Tonin Stërkaj, duket si një akt i organizuar. Balla theksoi se shpreson që të ketë rezultate konkrete nga hetimet për këtë rast, duke shtuar se magjistratët duhet të mbrohen në kryerjen e detyrave të tyre.

“Unë kam marrë një takim me magjistratin, i kam shprehur solidaritetin. Policia do iu ofrojë mbrojtje personale dhe familjes të magjistratit. Policia e Shtetit e di fare mirë detyrën e saj. Shpresoj që në vijim të kemi rezultate konkrete, që të japim mesazh ndaj çdokujt që mundohet të intimidojë sistemin gjyqësor. Duhet më shumë mbështetje ndaj magjistratëve, për të ofruar më shumë siguri ndaj magjistratëve dhe prokurorëve.

Reforma në drejtësi po jep rezultatet e veta. Gjyqtarë e prokurorë kanë prishur qetësinë e personave të cilët janë objekt i hetimeve apo vendimeve. Kur bëra thirrje për të hequr dorë nga intimidimet ndaj magjistratëve, kisha parasysh gjithkënd, Intimidimi mund të bëhet me shpërthime por edhe me fjalë e deklarata. Kam ardhur të shpreh mbështetjen e qeverisë ndaj institucioneve të drejtësisë. Kërkova të merren masa për sigurinë e paprekshme të çdo magjistrati”. /ZOOM.AL/

Postime të lidhura