zoom

Aktualitet

Transporti publik përgjysmon autobusët, ja kërkesat e tyre

Një numër i madh njerëzish kanë mbetur ditën e sotme në stacione duke pritur autobusin, gjë e cila ka krijuar situatë të rrëmujshme dhe shqetësuese për qytetarët.

Transporti publik sot nuk është në funksion të plotë prej rritjes së çmimit të naftës.

‘Unioni i Transportit’ ka bërë të ditur se nëse situata do të vazhdojë kështu, mund të ketë rritje të çmimit të biletës.

Një alternativë e tyre është që çmimi të dyfishohet duke shkuar në 80 lekë.

Sipas tyre, çmimi i naftës është rritur dhe në këto kushte, ata kërkojnë që të rritet çmimi i biletës.

“Më rëndësishmja që kërkohet është rritja e çmimit të biletës. Kjo për shkak se do t’i jepte një mundësi që të kishim një transport publik në Shqipëri. Çmimi i biletës për të përballuar këtë krizë është llogaritur nga ekspertët tanë diku te 80 lekë për biletë një përdorimëshe. Në këtë formë ne do t’i japim një mundësi transportit që t’u shërbejmë qytetarëve dhe të mos kapitullojmë totalisht. Edhe kur ishte kryetar bashkie Rama dhe Basha, është llogaritur që çmimi i biletës të ishte diku te 50 lek për biletë. Deri atëherë çmimi i naftës është dyfishuar, natyrisht në proporcion të kësaj kemi kërkuar dhe çmimin e biletës”, u shprehën përfaqësuesit e Shoqatës.

Që prej nisjes së luftës në Ukrainë çmimi i naftës dhe gazit ka njohur rritje në të gjitha bursat ndërkombëtare. Në shumë shtete, karburanti është rritur me disa lekë, e po ashtu në vendin tonë.

Në Shqipëri çmimi i naftës pati një rritje të frikshme, që në ditët e para kur nafta sapo nisi dhe efekti i rritjes së çmimeve nuk kishte filluar ende. Shoqata e Transportit ka parashtuar kërkesa të tjera qeverisë mirëpo me rritjen e çmimit të naftës, duket se kanë nisur të marrin masa duke ndërprerë dhe transportin.

KËRKESAT e tyre: Rimbursimi i TVSH dhe i kategorive me aftësi të kufizuar, heqja e akcizës 37 lekë/litër dhe heqja e taksës së qarkullimit në karburant.