zoom

Bota

Tramvaji del nga shinat në Milano, disa të plagosur

Tramvaji del nga shinat në Milano, disa të plagosur

Një aksident i rëndë është regjistruar pasditen e sotme në Milano, ku një tramvaj ka dalë nga shinat dhe është përplasur me një godinë, duke shkaktuar plagosjen e disa personave.

Sipas mediave italiane, ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:00 në zonën e Porta Venezia. Tramvaji i linjës 9 ishte në lëvizje drejt Porta Genova, kur për shkaqe ende të paqarta humbi kontrollin në Viale Vittorio Veneto dhe doli nga shinat.

Gjatë incidentit, mjeti dyshohet se ka goditur edhe disa këmbësorë, ndërsa autoritetet nuk kanë konfirmuar ende numrin e saktë të të plagosurve dhe as gjendjen e tyre shëndetësore.

Në vendngjarje janë angazhuar menjëherë gjashtë ambulanca dhe pesë mjete mjekësore të emergjencës, si dhe forcat zjarrfikëse dhe policia lokale.

Disa nga të plagosurit janë nxjerrë nga rrënojat, ndërsa ekipet e shpëtimit po vijojnë operacionin për lirimin e një pasagjeri që ka mbetur i bllokuar brenda tramvajit. Zona është rrethuar për arsye sigurie, ndërsa qarkullimi është kufizuar./ Zoom.al

Postime të lidhura