Aplikacion
Trajneri i njohur, Carlo Ancelotti, është dënuar nga Gjykata e Madridit me një vit burg për evazion fiskal, që lidhet me periudhën kur ai drejtonte Real Madridin në sezonin 2013–2014.
Vendimi erdhi pas hetimeve të nisura për një shumë prej rreth 400 mijë euro të padeklaruara nga të ardhurat që lidhen me të drejtat e imazhit të Ancelottit, të cilat nuk ishin raportuar sipas kërkesave të ligjit spanjoll.
Megjithatë, dënimi është i pezulluar, pasi Ancelotti nuk ka precedentë penalë dhe vepra penale nuk përfshin rrezikshmëri të lartë shoqërore. Ligji spanjoll parashikon që dënimet nën dy vjet mund të mos ekzekutohen në formën e burgimit, nëse personi nuk ka shkelje të mëparshme.
Përveç dënimit penal, Ancelotti është dënuar edhe me një gjobë prej 386 mijë euro dhe i është ndaluar për tre vjet përfitimi nga subvencionet publike, lehtësirat tatimore dhe të drejtat në sigurime shoqërore.
Prokuroria spanjolle e kishte akuzuar fillimisht Ancelottin për evazion total prej 1.06 milionë euro, për vitet 2014 dhe 2015, por gjykata e shpalli të pafajshëm për vitin 2015, duke e kufizuar dënimin për një vit të vetëm.
Në një deklaratë të mëparshme, Ancelotti kishte sqaruar se kishte lënë menaxherët financiarë të merreshin me detajet e kontratës dhe se nuk kishte qenë në dijeni të ndonjë shkeljeje./ Zoom.al