Aplikacion
Kelley Mack, aktorja e njohur për rolin e saj në serialin e famshëm The Walking Dead, ka ndërruar jetë në moshën 33-vjeçare.

E lindur në Cincinnati, Ohio, me emrin Kelley Klebenow, ajo ndërroi jetë më 2 gusht pas një diagnoze me gliomë të sistemit nervor qendror, sipas nekrologjisë së publikuar më 5 gusht.
Lajmi u konfirmua gjithashtu nga familjarët përmes llogarisë zyrtare të Mack në Instagram.
“Me një dhimbje të thellë njoftojmë ndarjen nga jeta të së dashurës sonë Kelley. Një dritë e ndritshme dhe plot pasion është zhvendosur në botën tjetër, ku të gjithë një ditë do të shkojmë,” thuhej në postimin emocional.
Aktorja vdiq e rrethuar nga familja, ndërsa të afërmit theksuan se ajo u largua “në paqe”.
Kelley Mack u bë e njohur për publikun në rolin e “Addy” në sezonin e 9-të të The Walking Dead, një nga serialet më të ndjekur që u transmetua nga viti 2010 deri në 2022. Ajo numëron 35 role si aktore dhe pesë si producente.
Përveç The Walking Dead, ajo u shfaq si “Penelope Jacobs” në sezonin e 8-të të Chicago Med dhe në serialin 9-1-1 të FOX.
Roli i saj i fundit në film ishte si “Wilda” në filmin Delicate Arch, ndërsa më parë kishte luajtur edhe në Broadcast Signal Intrusion si “Alice”.
Mack gjithashtu kishte realizuar projekte reklamuese për marka si Dr. Pepper, Ross, Dairy Queen dhe Chick-fil-A, ndërsa së fundmi ishte pjesë e një reklame të Rakuten së bashku me nënën e saj, Kristen.
Ajo kishte kontribuar edhe me zërin e saj në filmin e animuar fitues të çmimit Oscar Spider-Man: Into the Spider-Verse, si zë zëvendësues për personazhin e Gwen Stacy, të luajtur nga Hailee Steinfeld. Zoom.al/