zoom

Aktualitet

Tragjedi në aksin Prrenjas-Librazhd! Guri i shkëputur nga mali bie mbi makinë, vdes 42-vjeçari

Tragjedi në aksin Prrenjas-Librazhd! Guri i shkëputur nga mali bie mbi makinë, vdes 42-vjeçari

Një 42-vjeçar ka humbur jetën në një ngjarje tragjike të ndodhur mbrëmjen e së premtes në aksin rrugor Prrenjas–Librazhd, në fshatin Hotolisht, pasi automjeti që drejtonte u godit nga një gur i shkëputur nga shpati i malit.

Sipas të dhënave paraprake, ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:30. Dyshohet se një gur me përmasa të mëdha është shkëputur nga kodra pranë rrugës dhe ka rënë mbi automjetin tip “Benz”, që drejtohej nga Arjan Hoxha, 42 vjeç, banues në fshatin Gjergjan të Elbasanit.

Përplasja rezultoi fatale, ndërsa 42-vjeçari humbi jetën në vendngjarje si pasojë e dëmtimeve të marra.

Për nxjerrjen e trupit të pajetë nga automjeti, i cili u dëmtua rëndë, u desh ndërhyrja e forcave zjarrfikëse. Punonjësit përdorën mjete prerëse për të çarë kabinën e mjetit dhe për të bërë të mundur nxjerrjen e viktimës.

Menjëherë pas ngjarjes në vendngjarje mbërritën shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin e rastit.

Autoritetet po hetojnë shkaqet që çuan në shkëputjen e gurit nga shpati i kodrës, ndërsa pritet të dalin me detaje të tjera në vijim.