Aplikacion
Një aksident i rëndë hekurudhor ka ndodhur në Spanjë, mbrëmjen e së dielës, në linjën e trenave të shpejtësisë së lartë që përshkon rajonin e Andaluzisë.
Disa vagonë të një treni kanë dalë nga shinat dhe kanë goditur ballë për ballë një tren që po vinte nga drejtimi i kundërt, duke shkaktuar një tragjedi me pasoja të rënda njerëzore.
Sipas bilancit të parë zyrtar të autoriteteve, të paktën 39 persona kanë humbur jetën. Megjithatë, Ministria e Shëndetësisë e Qeverisë së Andaluzisë ka bërë me dije se numri i viktimave mbetet “i papërcaktueshëm”, për shkak të vështirësive në ndërhyrje në tre vagonë që kanë përfunduar në një argjinaturë. Shërbimet e emergjencës dhe dëshmitë e pasagjerëve, të cituara nga mediat, flasin për rreth 100 të plagosur, disa prej tyre në gjendje shumë të rëndë, si dhe për persona që ende rezultojnë të bllokuar mes rrënojave metalike.
Në aksident janë përfshirë një tren i kompanisë Iryo, i nisur nga Malaga dhe me destinacion Madrid Puerta de Atocha, si dhe një tren i kompanisë Alvia, i drejtuar për në Huelva, në Andaluzia.
Si pasojë e tragjedisë, shërbimi i trenave të shpejtësisë së lartë mes Andaluzisë jugore dhe Madridit do të mbetet i pezulluar të paktën gjatë gjithë ditës së hënë.
Kompania Iryo ka bërë të ditur se ka aktivizuar të gjitha protokollet e emergjencës, ndërsa pasagjerët e dy trenave të përfshirë janë evakuuar. Ndërkohë, ekipet e shpëtimit vijojnë kërkimet për viktima apo të mbijetuar të mundshëm mes vagonëve të shkatërruar.
Pas tragjedisë së rëndë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka shprehur ngushëllimet e tij.
Në një status në X, Rama i drejtohet këtë të hënë drejtpërdrejt kryeministrit spanjoll, Pedro Sánchez, duke shkruar:
“I dashur Pedro @sanchezcastejon, Kam marrë me trishtim të thellë lajmin për aksidentin tragjik hekurudhor që ndodhi në Adamuz. Në emër të popullit të Shqipërisë dhe në emrin tim, dua të shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave dhe solidaritetin tim me popullin dhe Qeverinë e Spanjës në këtë moment dhimbjeje. Mendimet tona janë me ata që kanë humbur të dashurit e tyre dhe me të gjitha ekipet që po punojnë pa pushim për t’u përgjigjur kësaj tragjedie.”/ Zoom.al