Aplikacion
Autoritetet spanjolle kanë arrestuar në Spanjë shtetasin shqiptar Kevin Margjoni, 49 vjeç, i cili rezultonte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi ndaj tij Gjykata e Posaçme (GJKKO) kishte vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për trafik droge.
Kevin Margjoni akuzohet nga SPAK si një nga personat e përfshirë në laboratorin e kokainës të zbuluar në Frakull të Fierit, një nga operacionet e zhvilluara në kuadër të hetimeve për trafikun e kokainës nga Amerika Latine drejt Europës dhe Shqipërisë.
Ky laborator u godit gjatë një operacioni të SPAK në muajin mars të këtij viti dhe u konsiderua një nga rastet më të rëndësishme në luftën kundër trafikut ndërkombëtar të narkotikëve. Në këtë dosje, Margjoni ishte ndër personat e shpallur në kërkim, ndërsa tre të tjerë janë arrestuar më herët.
Sipas njoftimit zyrtar, arrestimi u bë i mundur si rezultat i bashkëpunimit mes Interpol Tiranës dhe autoriteteve në Madrid, ndërsa pritet procedura e ekstradimit të tij drejt Shqipërisë për t’u përballur me drejtësinë.