zoom

Aktualitet

Tirana protestë Moskës pas sulmit ndaj rezidencës së ambasadorit shqiptar në Kiev, thërret ambasadorin rus: I papranueshëm, rrezikoi jetën e tij

Tirana protestë Moskës pas sulmit ndaj rezidencës së ambasadorit shqiptar në Kiev, thërret ambasadorin rus: I papranueshëm, rrezikoi jetën e tij

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka thirrur këtë të diel Ambasadorin e Federatës Ruse në Tiranë, Alexey Zaitsev, për t’i përcjellë protestën zyrtare të palës shqiptare pas sulmeve masive me dronë dhe raketa gjatë natës në Ukrainë.

Sipas njoftimit zyrtar, gjatë sulmeve është goditur edhe kompleksi rezidencial ku banon Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Ukrainë, duke rrezikuar seriozisht sigurinë dhe jetën e tij.

Gjatë takimit me diplomatin rus, Ministria e Jashtme shqiptare theksoi se incidenti konsiderohet i papranueshëm dhe në kundërshtim të plotë me normat ndërkombëtare.

“Në takim u theksua se sulmet kishin cenuar rëndë sigurinë dhe jetën e Ambasadorit të Republikës së Shqipërisë. Ky incident është i papranueshëm dhe krejtësisht në kundërshtim me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike dhe detyrimet e tjera ndërkombëtare që garantojnë paprekshmërinë në çdo rrethanë të sigurisë dhe dinjitetit të stafit diplomatik të akredituar”, thuhet në reagim.

Mësohet se ambasadorit rus i është dorëzuar një notë verbale, përmes së cilës pala shqiptare ka kërkuar respektimin e normave ndërkombëtare dhe garantimin e sigurisë për personelin diplomatik.

Postime të lidhura