Aplikacion
Infeksionet e traktit urinar (ITU) janë një problem shëndetësor i përhapur, veçanërisht gjatë muajve të verës, kur faktorët klimatikë dhe ndryshimet në stilin e jetesës rrisin ndjeshëm rrezikun e shfaqjes së tyre.
Gjatë verës, incidenca e infeksioneve urinare rritet, sidomos tek gratë, për shkak të kushteve si: temperaturat e larta, dehidratimi, ekspozimi ndaj ajrit të kondicionuar, si dhe zakone të përditshme si noti në pishina apo det dhe mbajtja e rrobave të lagura për periudha të gjata.
Shkaktari më i zakonshëm i ITU-ve është bakteria Escherichia coli (E. coli), e cila kolonizon traktin urinar duke shkaktuar inflamacion. Nëse nuk trajtohen në mënyrë të duhur, infeksionet mund të çojnë në komplikacione serioze, si pielonefriti, një infeksion i veshkave.
Roli i boronicës në parandalim
Një nga “aleatët” më të njohur natyralë për parandalimin e ITU-ve është boronica, falë përbërjeve të saj aktive që kanë efekte të dokumentuara shkencërisht. Boronicat përmbajnë proantocianidina (PAC), substanca që parandalojnë ngjitjen e baktereve në muret e traktit urinar, duke bllokuar kështu hapin e parë të infeksionit.
Studime të shumta kanë vërtetuar efektivitetin e boronicës. Një meta-analizë e publikuar në revistën JAMA (2012) përfshiu disa studime klinike dhe arriti në përfundimin se suplementet me boronicë ndihmojnë në reduktimin e ITU-ve të përsëritura, sidomos tek gratë.
Gjithashtu, një rishikim sistematik i vitit 2023, publikuar në Cochrane Database of Systematic Reviews, analizoi të dhëna nga 50 studime me mbi 9,000 pjesëmarrës. Rezultatet treguan se përdorimi i boronicës – në formë lëngu ose pilule – uli:
ITU-të me 25% tek gratë
Me 50% tek fëmijët
Dhe me 53% tek personat me ITU të përsëritura pas ndërhyrjeve mjekësore, si radioterapia në fshikëz.
Shenjat që nuk duhen neglizhuar
Simptomat më të zakonshme të një infeksioni urinar përfshijnë:
Nevojë e menjëhershme dhe e fortë për të urinuar
Djegie gjatë urinimit
Urinim i shpeshtë në sasi të vogla