Aplikacion
Një tentativë grabitjeje është regjistruar në orët e para të mëngjesit të sotëm në qytetin e Pogradecit, ku shënjestër ka qenë një argjendari.
Pronari i biznesit, Lytfi Alia, bën me dije se persona të paidentifikuar kanë tentuar të hapin dyqanin rreth orës 03:30, duke përdorur një kriko makine. Sipas tij, aktivizimi i sistemit të alarmit ka bërë që autorët të largohen menjëherë pa arritur të marrin sende me vlerë.
Nga pamjet e kamerave të sigurisë rezulton se në këtë tentativë kanë qenë të përfshirë tre persona të maskuar.
Alia thekson se kjo nuk është hera e parë që argjendaria e tij bëhet objekt sulmi. Ai deklaron se dyqani është grabitur disa herë më parë, ku dëmet kanë qenë të konsiderueshme, duke kapur vlerën mbi 15 mijë euro, ndërsa autorët nuk janë identifikuar.
“Rreth orës 03:30 është hapur dyqani me kriko, ra alarmi dhe ata janë larguar pa marrë asgjë. Dyqani im është vjedhur mbi tre herë që kur e kam hapur si biznes. Edhe në rastet e mëparshme autorët nuk janë kapur. Shpresoj që kësaj radhe të identifikohen. Dëmet në vjedhjet e tjera kanë qenë mbi 15 mijë euro,” u shpreh pronari.
Ai shtoi se ndjehet i pasigurt për vijimin e aktivitetit, duke theksuar se raste të tilla të përsëritura ndikojnë negativisht në biznes.
Policia ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve, ndërsa po verifikohen pamjet e kamerave të sigurisë.