Aplikacion
Vendi ynë do të vijojë të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme, pa ndryshime të theksuara.
Moti parashikohet relativisht i qetë, me alternime kthjellimesh dhe vranësirash mesatare, të cilat herë pas here mund të bëhen edhe të dendura, kryesisht në zonat malore dhe kodrinore.
Gjatë orëve të para të mëngjesit dhe në mbrëmje pritet të ketë prezencë të mjegullës dhe mjegullinës, fenomen që do të jetë më i dukshëm në zonat luginore dhe pranë akseve rrugore, duke sjellë ulje të përkohshme të dukshmërisë. Drejtuesit e automjeteve këshillohen të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit.
Temperaturat do të mbeten të ulëta, tipike për këtë periudhë të vitit, ndërsa në zonat malore priten vlera nën zero gjatë natës dhe orëve të para të mëngjesit.
Era do të fryjë nga drejtimi verilindje–lindje, me një shpejtësi mesatare rreth 7 m/s, pa krijuar problematika të theksuara. Në zonat bregdetare dhe në det të hapur, valëzimi do të jetë i lehtë, me detin që parashikohet të ketë valëzim të forcës 1–2 ballë, duke mundësuar kushte të favorshme për lundrim./ Zoom.al

