zoom

Ide & Blog

Të ofenduar dhe poshtëruar, shqiptarët protestojnë me të drejtë

Të ofenduar dhe poshtëruar, shqiptarët protestojnë me të drejtë

Nga Berat Buzhala

Nelson Mandela një herë ka thënë “nuk ka njeri më të rrezikshëm se sa ai njeri që ka qenë i poshtëruar”. Edi Rama i ka poshtëruar miliona shqiptarë, duke ua shitur si model jetësor Çetin. ‘Akademia e Kukësit’, për Ramën, kishte më shumë vlerë se sa çdo shkollë Perëndimore. Atë ua shiti shqiptarëve si Lugina e Silikonit.

Edi Rama është politikan inteligjent. Mirëpo përpara se të jetë inteligjent është frikacak. Bile duket që e para vjen nga e dyta. Ai duke e pasur përballë vetës një opozitë copë – copë, një opozitë të korruptuar dhe kriminale (jam i bindur që mediat e kontrolluara prej tij do ta kapin këtë pjesë dhe do ta nxjerrin ketë shkrim jashtë kontekstit), ndoshta po aq sa është edhe ai vetë, e kishte të lehtë të tallej me të gjithë ata që ishin kundër tij.
Këtë e paguan Meta. Këtë e paguan Shkëlzeni. Këtë e paguan Monika. Këtë e paguan Berisha. Në anën tjetër Luli, në librat e Ramës, nuk është politikan serioz as për të korruptuar mediat dhe gazetarët. Ka mundësi, biles, që kohëve të fundit Rama dhe Luli po paguajnë të njëjtit njerëz, prandaj nuk ka rrezik prej tij.
Kështu, duke e devalvuar secilin njeri, duke eliminuar me inteligjencë çdo kundërshtar politik, duke i mundur në çdo palë zgjedhje me rezultate të thella, Rama ka mbetur vetëm për vetëm me opozitën e ofenduar dhe nënçmuar.

Rama ka mbetur pa ndërmjetësues, përballë gati 1 milion shqiptarëve që nuk e duan, e që për më tepër e me të cilët qe gati 1 dekadë Rama është tallur. Secilin prej tyre në forma të ndryshme e ka ofenduar dhe poshtëruar. E ka ofenduar kur e ka lidhur atë me Metën, Berishën apo Lulin, sepse shumica prej tyre nuk kanë qënë me këta, por kanë qënë kundër modelit qeverisës të Ramës, kurse i ka poshtëruar të gjithë ata të rinj dhe të reja, kur ua ka shitur si model të sukseshëm të biznismenit do halabakë mesjetarë. Në kohën kur bota si model të biznismenit e ka Elon Musk’in. Shqipëria Çetin.

Krejt kjo në shekullin 21, në vitin 2022, kur shqiptarët janë shkolluar në institucionet më të avancuara në botë, kurse në Shqipëri ato diploma, ato arritje nuk e kanë asnjë vlerë përballë akademisë së Kukësit.

Më shumë vlera nën këtë qeverisje ka pasur një burrë barkmadh, që nuk di të lexojë e as të shkruajë, por që i ka depot të mbushura prej drogës deri tek keshi, se sa një i ri ose e re që i di dy tri gjëra në ekonomi, në politikë a kudo në shkencë.

Rama, parimisht një njeri i ditur, një njeri me kulturë, tek e fundit një pothuajsepiktor, ose siç e thotë edhe vetë në intervista piktori më i mirë ndër të gjithë kryeministrat, dhe një pothuajseshkrimtar, bëri aleancë me mujsharët, me ata që as nuk e dinë çka është piktura, e as nuk e dinë çka është libri. Me gjasë i dukeshin dhe i duken trima. Ia ofrojnë atë që i mungon këtij njeriu, kurse ky u ka ofruar atyre atë për të cilën ata jetojnë. Milionat.

Pjesa tjetër, ajo e mesit, idealet, shteti, e ardhmja, perspektiva, nuk i ka interesuar as Ramës e as atyre. Rama e ka bërë këtë kompromis për pushtet, kurse për pjesëtarët e “Luginës së Silikonit”, le ta quajmë edhe si “Lugina e Kukësit”, këto vlera as nuk kanë ekzistuar e as nuk ekzistojnë. (Nuk dëshiroj ta stereotipizoj as Kukësin e as Veriun me disa figura bizare ekonomike, por për fatin e tyre të keq, ata janë sot fotografia e tyre në Tiranë.)

Kolumnisti me famë botërore i The New York Times, Thomas Friedman, në një kolumne të tij të shkruar para dy vitesh thoshte se “dy emocionet më të fortë njerëzore janë kërkesa për dinjitet dhe ndjenja e të qenit i poshtëruar”. Friedman shkruan se mbi këto emocione janë nisur luftëra, revolucione, akte terroriste, masakra etj. Trump, shkruan Friedman, kishte fituar mbi ketë premisë. Një numër i madh i amerikanëve për një kohë të gjatë ishin ndjerë të poshtëruar dhe ofenduar.
“Baza e mbështetësve të Trump përbëhet prej njerëzve që i urrejnë njerëzit që e urrejnë Trumpin, më shumë se sa që brengosën për vetë Trumpin”. Pra, ishte një dëshirë për hakmarrje, pa marrë parasysh se kush po i printe lëvizjes, qoftë ai edhe Trump.
Në Shqipëri, kohëve të fundit si kurrë më parë, kam takuar njerëz që flasin me dëshpërim, njerëz që ndihen të braktisur, të pafuqishëm, të poshtëruar dhe ofenduar. Njerëz që janë në kërkim të shpëtimit.
“Është i fortë Rama, ai e ka kapur çdo gjë, edhe opozitën,” – ka qënë reagimi më i shpeshtë i shqiptarëve të dorëzuar.
Rama është tallur me këta shqiptarë. Është ngërdheshur. Sa herë që është zënë ngushtë e ka bërë një fotografi me ndonjë amerikan të rëndësishëm. Kur është kthyer në Tiranë dikush nga stafi i ka thënë “që me këtë takim i mbyte të gjithë zërat”.
Po, kështu ishte, por jo pafundësisht. Shqiptarët janë proamerikanë, janë properëndimorë, janë kundër aksionit të Rusisë në Ukrainë, janë pro rezolutës së Shqipërisë në OKB, janë pro takimit të Ramës me Blinken, por janë edhe kundër Ramës dhe cinizmit të tij, janë kundër pasanikëve të Ramës, janë kundër modelit ekonomik të tij, janë kundër poshtërimit që po u bëhet.

Friedman shkruan që njerëzit mund ta absorbojnë urinë, dhimbjen dhe hjekën. Njerëzit janë falenderues për punën që e kanë, për veturën dhe përfitimet. “Por nëse i bën njerëzit që të ndihen të poshtëruar, ata do të përgjigjën me egërsi” – thotë ai.
Nelson Mandela një herë ka thënë “nuk ka njeri më të rrezikshëm se sa ai njeri që ka qënë i poshtëruar”.

Në Kosovë, elita politike e kaluar, e kishte marrë një mësim të tillë. Kur 50 përqind e qytetarëve e votuan një opsion politik eksperimental ata treguan që ishin të gatshëm edhe për eksperimente, por që t’i jepej fund poshtërimit të tyre prej establishmentit të kaluar. Kosovarë në vetëvete janë ndjerë të papërfaqësuar dhe të poshtëruar, kurse Edi Rama dhe rrethi i tij nuk kanë mbajtur shënime, por e kanë shikuar Kosovën si një lloj ngjarje të izoluar. Kosova nuk kanë qënë ngjarje e izoluar, ka qënë një ilustrim përfekt i degradimit moral.

Establishmenti aktual politik në Shqipëri duhet ta dijë që për ta, për sigurinë e tyre politike dhe fizike, turma pa lider në krye të saj është shumë më e rrëzikshme se sa masa e udhëhequr nga një figurë politike. Rama, duke menduar që po i ndihmonte vetes, ia ka bërë në fakt vetes edhe këtë dëm. Në Tiranë po protestojnë njerëzit që nuk marrin urdhra nga askush. Të kota janë përpjekjet e mediave të Ramës për të etiketuar filan protestuesi si fajdexhi, a një tjetër si vrasës. Shqiptarët e dinë që fajdexhitë, vrasësit, të korruptuarit, janë afër Ramës. Ka edhe në protesta, por as që krahasohen me ata që janë në qeveri, ose që thithin prej qeverisë.
Nëse janë pjekur kushtet për ndryshim, nuk do të ketë forcë në botë që do ta zbus këtë pezm dhe këtë mllef, nuk do të ketë arsye në botë që do t’i ndalë shqiptarët për të kërkuar ndryshim të pushtetit.
Në fund të viteve të 80’ta, në shumicën e vendeve të Evropës Juglindore, ndryshimin po e sillnin turmat pa liderë. Ishin ata që ishin poshtëruar për disa dekada, tash atyre u kishte ardhur momenti për t’u hakmarrë. Ngjashëm kishte ndodhur edhe me Pranverën Arabe.
Për shqiptarët pranvera sjellë ndryshim.

Kishte sjellur ndryshim në vitin 1981 në Kosovë. Kishte sjellur ndryshim në vitin 1998, kur një familje në Prekaz ishte ngritur kundër një pushteti. Në Shqipërinë e vitit 1997 lufta civile kishte filluar në muajin mars. Kosova u ngrit në këmbë në pranverën e hershme të vitit të kaluar, por fatbardhesisht kryengritja u realizua përmes votës së lirë.
Edi Rama dhe klika e tij mund t’i mashtrojnë disa shqiptarë gjatë gjithë kohës, mund t’i mashtrojnë të gjithë shqiptarët për një kohë, por nuk mund t’i mashtrojnë të gjithë shqiptarët gjatë gjithë kohës.