zoom

Ekonomi

Të gjitha llogaritë bankare, në një platformë të vetme

Në janar të këtij viti, në Shqipëri hyri në fuqi ligji i ri “Për shërbimet e pagesave”. Ligji reflekton direktivën e dytë europiane të pagesave (PSD 2), që në Bashkimin Europian solli ndryshime të ndjeshme në tregjet e pagesave. Në Shqipëri, rëndësia e këtij ligji nuk është ende shumë e prekshme, kryesisht për shkak të mungesës së një sektori të zhvilluar të institucioneve financiare të pagesave, që sot në botë përbëjnë një nga kolonat kryesore të sektorit të teknologjisë financiare apo fintech. Megjithatë, ligji i ri krijon kushtet për zhvillimin e mëtejshëm të institucioneve financiare të pagesave.

Koncepti më novator që solli direktiva PSD 2 dhe që reflektohet edhe në ligjin e ri për shërbimet e pagesave, është ai i open banking (bankingut të hapur). Ligji i ri do t’iu japë të drejtë institucioneve financiare jo banka të licencuara të kenë akses në informacionet bankare të klientëve të tyre. Bankat do të jenë të detyruara të japin akses në këto të dhëna, sigurisht me miratimin e titullarit të llogarisë dhe vetëm për qëllime të transaksioneve të pagesave.

Kjo risi i ka dhënë nxitje konkurrencës në tregun europian dhe pritet të japë një efekt të tillë edhe në Shqipëri. Mbështetur në konceptin e mësipërm, do të krijohen dy shërbime të reja, ai i informacionit mbi llogaritë dhe shërbimi i inicimit të pagesave. Aktualisht, individët mund t’i aksesojnë llogaritë e tyre bankare vetëm përmes platformave të bankave përkatëse.

Me ligjin e ri, individët dhe bizneset do të kenë mundësi që t’i aksesojnë të gjitha llogaritë e tyre në banka të ndryshme, nëpërmjet një platforme të vetme dhe gjithëpërfshirëse, që mund të ofrohet nga institucionet financiare që do të licencohen për këtë qëllim. Edhe inicimi i pagesave mund të bëhet përmes një platforme të vetme, përmes së cilës klienti mund të kryejë pagesa nga llogari që mund të ndodhen në banka të ndryshme.

Por, ligji i ri është vetëm një nga risitë në proces dhe që priten të sjellin ndryshime të rëndësishme në infrastrukturën e pagesave në Shqipëri. Strategjia Kombëtare për Pagesat me Vlerë të Vogël parashikon një sërë projektesh të tjera, si sistemet për shlyerjen kombëtare të pagesave në euro, për procesimin lokal të pagesave me kartë, pagesat e çastit (instant payments) apo debitimin direkt ndërbankar.

Përpos ndikimit dramatik shoqëror dhe dëmit të madh ekonomik, pandemia e Covid-19 dha edhe efekte anësore pozitive, një ndër të cilët ishte rritja e përdorimit të pagesave elektronike. Pikërisht pandemia mund të krijojë një terren të favorshëm që nismat e reja ligjore dhe operacionale t’i japin hovin e nevojshëm modernizimit të pagesave në Shqipëri.

 

96% e pagesave konsumatore kryhen në cash

Një studim i Bankës Botërore i vitit 2018 është ndër dokumentet e pakta që hedhin dritë mbi instrumentet e pagesave të përdorura nga konsumatorët shqiptarë. Anketimi ka treguar se konsumatorët shqiptarë dërgojnë dhe marrin pagesa ditore në shumicën dërrmuese në para fizike (cash), me 96% e pagesave të iniciuara dhe 90% të pagesave të marra. Bizneset e anketuara raportojnë se 99.2% e gjithë volumit të pagesave janë pranuar në cash, kundrejt 66% të pagesave të iniciuara. Vetëm 15% e bizneseve të vrojtuara pranojnë pagesa elektronike përmes një terminali elektronik (POS).

Anketimi i konsumatorëve tregon se pagesat në cash janë të përqendruara në blerjen e mallrave ushqimore dhe të domosdoshme. Megjithatë, edhe kanale të tjera shërbimi dhe përdorimi mbështeten gjerësisht në përdorimin e cash-it. Pas pagesave për mallra ushqimore dhe të domosdoshme, shqiptarët kryejnë shumicën e pagesave për faturat utilitare/të shërbimeve periodike të ndryshme; nga këto, 90% kryhen në cash.

Gjithashtu, 95% e transfertave individ me individ kryhen në cash. Edhe pse pagesat e qeverisë kanalizohen në një masë të madhe drejtpërsëdrejti në llogarinë bankare të përfituesit, pensionet e pensionistëve kalojnë në shumicën e rasteve në kanale shërbimi fizike dhe paguhen në cash.

 

Pagesat cash kushtojnë sa 1.7% e PBB-së

Kryerja e pagesave është një aktivitet që bart kosto në para dhe në kohë shumë më të madhe nga sa mund të mendojmë. Një studim i Bankës së Shqipërisë dhe Bankës Botërore për kostot dhe kursimet e pagesave me vlerë të vogël ka treguar se në total, këto pagesa kanë një kosto sa rreth 2.5% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) ose pothuajse 300 milionë dollarë në vit.

Pjesë më e madhe e këtyre kostove paguhen nga konsumatorët, por edhe nga bizneset. Kostot e mëdha në para dhe sidomos në kohë lidhen shumë me dominimin e parasë fizike, si instrument pagesash në ekonominë shqiptare. Kosto e transaksioneve cash përbën edhe pjesën më të madhe dhe arrin në rreth 1.7% të PBB-së.

Një zëvendësim gradual i pagesave cash me forma të tjera dhe kryesisht pagesa elektronike do të sillte kursime të konsiderueshme për ekonominë dhe veçanërisht për konsumatorët. Mbështetur në disa skenarë hipotetikë të zëvendësimit, të parashikuara në studimin e Bankës së Shqipërisë dhe Bankës Botërore, përfitimet e ekonomisë nga një përdorim më i madh i pagesave elektronike do të ishin të konsiderueshme. Zëvendësimi i 70% të pagesave në formë letër me pagesa elektronike do të gjeneronte kursime në një vlerë sa pothuajse 1% e Prodhimit Kombëtar.

Një përdorim më efikas i pagesave elektronike mund të sjellë përfitime të konsiderueshme edhe për rritjen ekonomike të vendit. Për më tepër, analiza tregon se kanalet e shërbimit që lidhen më ngushtë me përdorimin e cash-it dhe instrumente të tjera pagese në formë letër (p.sh. zyrat e pagesës, dega e agjentëve dhe degët e bankave) janë më të kushtueshmet për përdoruesit, si rezultat i kohës së shpenzuar për të arritur në vendndodhjen e shërbimit, kohës së pritjes në radhë dhe kryerjes së transaksionit, krahasuar me kanale të tjera shërbimesh si p.sh. interneti.

Në kohë, çdo shqiptar shpenzon mesatarisht rreth 42 minuta për të shkuar, për të pritur në radhë dhe për të kryer një transaksion në një zyrë pagesash, si dhe rreth 29 minuta për të shkuar, për të pritur në radhë dhe për të kryer transaksion në një degë banke.

Studimi arrin në përfundimin se kursimet për deri në 0.9% të PBB-së ose pothuajse gjysma e të gjitha kostove të instrumenteve të pagesave në formë letër mund të arrihen në ekonominë shqiptare, duke zëvendësuar pagesat në formë letër me instrumente elektronike të

pagesave. Për shembull, një zëvendësim prej 50% të pensioneve nga cash në transferta krediti elektronike do të gjeneronte kursime vjetore prej 385 milionë lekësh për pensionistët, 350 milionë lekë për qeverinë dhe 500 milionë lekë për ofruesit e shërbimeve të pagesave. Nëse 50% e pagesave të faturave në cash zëvendësohen me debitime elektronike direkte, konsumatorët do të kursenin rreth 750 milionë lekë, bizneset do të kursenin rreth 1 miliard lekë, ndërsa ofruesit e pagesave përafërsisht 1.8 miliardë lekë.

 

Pagesat elektronike, jemi të fundit në Europë

Prapambetja relative e Shqipërisë në përdorimin e instrumenteve elektronike të pagesave konfirmohet edhe nga disa studime krahasuese. Një studim i përbashkët mes Bankës Botërore dhe Universitetit të Cambridge, publikuar në vitin 2020, tregoi se vetëm 28.8% e shqiptarëve kanë kryer ose kanë përfituar një pagesë me kartë në 12 muajt e fundit. Kjo shifër është ndjeshëm më e ulët krahasuar me gjithë vendet e tjera të rajonit. Për vendet e tjera, ky tregues fillon nga rreth 39% për Kosovën, deri në mbi 66% për Serbinë.

Në Eurozonë, mesatarisht 92.5% e individëve kanë përdorur të paktën një herë pagesat dixhitale në 12 muajt e fundit para anketimit. Studimi tregon gjithashtu se 7.7% e shqiptarëve kanë përdorur një kartë bankare për pagesë, ndërsa në vendet e tjera, kjo përqindje varion nga 16.5% për Kosovën, deri në 39.4% për Serbinë. Edhe në zotërimin e kartës së kreditit, një instrument pagese i konceptuar kryesisht për pagesa jo-cash, Shqipëria është e fundit në renditjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Vetëm 8% e shqiptarëve zotërojnë një kartë krediti, kundrejt 9.7% të boshnjakëve, 10.4% të kosovarëve, 16.7% të malazezëve, 17.4% të maqedonasve dhe 17.6% të serbëve. Në Eurozonë, pothuajse 45% e individëve zotërojnë një kartë krediti.

Studimet krahasuese të Visa dhe Master Card kanë treguar se Shqipëria është një ndër tregjet me përdorimin më të ulët të pagesave jo cash me karta. Pagesat me kartë në pikat elektronike të shitjes përbëjnë vetëm 10% të volumit total të transaksioneve me kartë, duke e renditur Shqipërinë si një nga vendet me nivelin më të ulët të këtij treguesi në Europë.

Shifrat e mësipërme shpjegojnë pse Shqipëria ngelet një terren i vështirë për bizneset fintech; por, nga ana tjetër ato dëshmojnë edhe potenciale të mëdha për rritje të biznesit të pagesave dhe të shërbimeve financiare të lidhura me teknologjinë.

Një studim i publikuar në fillim të vitit të kaluar nga Shoqata Shqiptare e Bankave evidentoi se kanali kryesor i marrëdhënies me bankën për shqiptarët është kontakti direkt me degët dhe bankomatet. 91% e të anketuarve kishin si formën më të shpeshtë të marrëdhënies me bankën kontaktin direkt, ndërsa vetëm 17% kishin si kanal kryesor internetin.

 

Numri i pagesave bankare në distancë u rrit me 14%

Deri këtu, shifrat dëshmojnë se Shqipëria ka bërë një rrugë të ngadaltë në adoptimin e metodave më bashkëkohore dhe eficiente të pagesave. Megjithatë, pandemia që shpërtheu vitin e kaluar solli një lloj shkundjeje pozitive.

Kufizimet e vendosura dhe frika se kontakti me paranë cash mund të shtonte rreziqet e infektimit bënë që shqiptarët të përdornin më shumë instrumentet e pagesave jo cash. Sipas Bankës së Shqipërisë, numri i transaksioneve përmes kanaleve bankare në distancë, si internet banking apo mobile banking, për vitin 2020 arriti shifrën rekord prej 4.12 milionë, në rritje me 14% krahasuar me një vit më parë.

 

Burimi: Banka e Shqipërisë

 

Numri i llogarive bankare të lidhura me internetin arriti në afërsisht 586 mijë, në rritje vjetore me 33% ose rreth 144 mijë llogari më shumë. Përdorimi i internet banking është rritur për të dymbëdhjetin vit radhazi, ndërkohë që vetëm në harkun e pesë viteve të fundit, numri i llogarive të aksesueshme nga interneti është katërfishuar.

 

Burimi: Banka e Shqipërisë

 

Rritja e numrit të llogarive të lidhura me internetin ishte e lartë si te bizneset, me pothuajse 39%, edhe tek individët, me 33%. Si raport i thjeshtë i numrit të llogarive me numrin e përgjithshëm të popullsisë, vlerësohet se në Shqipëri, numri i llogarive të lidhura me internetin është sa rreth 21% e popullsisë, në rritje të ndjeshme prej nivelit 15.5% të vitit 2019.

Shërbimi i internet banking ofrohet tashmë nga 11 prej 12 bankave tregtare në Shqipëri. Me rritjen e rëndësisë së teknologjisë në shoqëri, bankat po vendosin më shumë fokus në promovimin e këtyre shërbimeve si kanal alternativ për marrëdhëniet me klientët.

Promovimi i internet banking u rrit më shumë pas shpërthimit të pandemisë, i nxitur edhe nga masat rregullative të Bankës së Shqipërisë, që gjatë mbylljes së ekonomisë pezulloi komisionet për pagesat ndërbankare përmes internetit. Ndërkohë, me ndryshimet e përhershme rregullative të miratuara në mesin e vitit, u përcaktua se komisionet për transfertat nëpërmjet internetit duhet të jenë të paktën 50% më të lira krahasuar me ato që kryhen në sportelet e bankave. Transfertat e vogla deri në shumën e 20 mijë lekëve do të kryhen pa asnjë komision.

Efekti i pandemisë në rritjen e përdorimit të kanaleve elektronike konfirmohet edhe nga bankierët. Gentian Capo, drejtor i Operacioneve në Raiffeisen Bank thotë se gjatë kësaj kohe, regjistrimet në platformën dixhitale të Raiffeisen Bank, u rritën me 36%, transaksionet përmes saj u rritën në 20%, transaksionet në internet (si p.sh. pagesat e shërbimeve, mbushjet e celularëve, pajtimet në internet etj.), u rritën 64%.

Potencialet për të rritur përdorimin e teknologjisë në shërbimet financiare janë ende të mëdha, po të kemi parasysh të paktën se 65% e shqiptarëve janë përdorues të internetit përmes rrjeteve celulare. Por, ndërkohë, anketimet paralele kanë treguar se vetëm 40% e shqiptarëve në moshë madhore zotërojnë llogari bankare, çka dëshmon nevojën ende të lartë për të rritur edukimin financiar dhe formalizimin e ekonomisë.

 

Burimi: Banka e Shqipërisë

 

Pagesat direkte me kartë u rritën me 17%

Ndikimi pozitiv i pandemisë konfirmohet edhe në ecurinë e pagesave me kartë. Sipas Bankës së Shqipërisë, numri i pagesave me kartë në Shqipëri arriti në më shumë se 5.8 milionë gjatë vitit 2020, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë. Pagesat në pikat elektronike të shitjes kanë shënuar rritje domethënëse me 17% krahasuar me një vit më parë.

 

Burimi: Banka e Shqipërisë

 

Pas shpërthimit të pandemisë, konsumatorët nisën të përdornin më shumë kartat në pagesat për blerjen e mallrave dhe shërbimeve, kryesisht për shkak të perceptimit se kontakti me paranë cash mund të sillte një rrezik të shtuar për përhapjen e koronavirusit që shkakton Covid-19. Ky faktor duket se ka sjellë ndikim pozitiv në prirjen e shqiptarëve për të përdorur më shumë pagesat elektronike.

Kjo tendencë duket se konfirmohet në mënyrë të tërthortë edhe nga një numër më i vogël i tërheqjeve cash në bankomate në 16.1 milionë, nga 16.5 milionë një vit më parë. Sidoqoftë, efekti i pandemisë është ndier edhe në ecurinë e pagesave elektronike, e lidhur kjo sidomos me rënien e ndjeshme të turizmit hyrës. Si vlerë, pagesat me kartë në pikat POS të bankave tregtare shqiptare ranë lehtë vitin e kaluar në 25.5 miliardë lekë, rreth 2.7% më pak krahasuar me vitin 2019. Pavarësisht efektit të pritshëm negativ nga faktori i turizmit, rritja e numrit të pagesave me kartë dëshmon se në përgjithësi, pandemia ka ndikuar pozitivisht në përdorimin e pagesave elektronike nga shqiptarët.

Bankat gjithashtu kanë rritur ndjeshëm numrin e terminaleve elektronike të shitjes (POS) në vitet e fundit, pavarësisht përdorimit relativisht të ulët dhe rezistencës së tregtarëve, të motivuar pjesërisht nga informaliteti. Në fund të vitit 2020, numri i terminaleve POS arriti në më shumë se 12 100, në rritje me 8.7% krahasuar me një vit më parë.

Në fund të vitit 2020, shqiptarët kishin në përdorim 1.26 milionë karta bankare aktive, në pjesën dërrmuese karta debiti të lidhura me llogaritë rrjedhëse. Numri i kartave të pagesave u rrit me 4.8% krahasuar me një vit më parë.

Sidoqoftë, edhe në tregun e kartave, jo të gjitha ndikimet e pandemisë janë pozitive. Numri i kartave të kreditit pësoi për herë të parë në më shumë se 15 vjet rënien e numrit të kartave të kreditit. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të vitit 2020, numri i kartave aktive të kreditit zbriti në më pak se 109 mijë. Krahasuar me një vit më parë, numri i kartave të kreditit ra me 4.3%.

Kartat e kreditit janë një produkt që mund ta kenë ndier më shumë efektin e rënies së aktivitetit ekonomik, sepse përdorimi i tyre është shumë i lidhur me turizmin dhe udhëtimet. Paralizimi i lëvizjeve ndërkufitare ka bërë që shumë karta krediti të mos rinovohen ose të mbyllen, sepse përdoruesit e tyre nuk i kanë vlerësuar si të domosdoshme në këtë periudhë.

 

Burimi: Banka e Shqipërisë

 

Pagesat po lëvizin drejt teknologjive të reja

Shërbimi i pagesave është një biznes që ka tërhequr tashmë edhe disa prej gjigantëve botërorë të teknologjisë, si Apple apo Google. Pajisjet smartphone përdoren sot gjerësisht edhe si instrumente pagesash, duke zëvendësuar në njëfarë mënyre kartat bankare, me shërbime të llojit të Apple Pay apo Google Pay. Këto shërbime konsistojnë në pagesa të çastit dhe fondet kalojnë direkt nga llogaria e blerësit në atë të shitësit të mallit apo shërbimit.

Në Shqipëri, përveçse nga përfshirja e pamjaftueshme financiare dhe nga informaliteti, rritja e pagesave elektronike kufizohet ende edhe nga mangësitë në infrastrukturën e pagesave.

Eneida Thomaj, drejtore e përgjithshme e kompanisë PayLink, tha se së fundmi, bankat në Shqipëri po shfaqin interes në rritje për të ofruar produkte të kartave të pagesave të teknologjisë së fundit si “wearables, përmes të cilave karta/chip i kartës, inkorporohet, për shembull, në një byzylyk/orë apo në telefonin celular etj. Sipas saj, institucionet bankare po nxisin më tutje strategjitë e tyre të dixhitalizimit dhe inovacionit.

Strategjia kombëtare për pagesat me vlerë të vogël përmban dy projekte të ndërlidhura që pritet të ndihmojnë ndjeshëm në nxitjen e pagesave elektronike në Shqipëri dhe të ulin kostot e tyre. Bëhet fjalë për projektin e Instant payment apo pagesave të çastit, si dhe atë të card switch, ose të përpunimit kombëtar të pagesave me kartë.

Pagesat e çastit do të mundësonin blerje direkte mes shitësve dhe blerësve të pajisur me një llogari bankare dhe shërbim të banking-ut përmes internetit apo telefonit celular. Por, aktualisht Shqipëria nuk ka një sistem që të mundësojë kryerjen e pagesave ndërbankare në kohë reale.

Pagesat ndërbankare në vlerë të vogël në Shqipëri zhvillohen në sistemin AECH të Bankës së Shqipërisë, me tre seanca ditore. Kreditimi i fondeve nga klienti porositës tek ai përfitues bëhen brenda ditës, për pagesat e nisura brenda orës 14.30, ndërsa ato që urdhërohen pas orës 14.30 ekzekutohen të nesërmen. Një sistem me pagesa të çastit, funksional 24 orë në ditë dhe 7 ditë në javë, do të mundësonte transferta ndërbankare praktikisht në kohë reale.

Praktikisht, shitësi do të mund ta marrë pagesën nga blerësi në moment, duke lehtësuar ndjeshëm transaksionet e biznesit dhe duke ulur nevojën për blerje cash. Vitin e kaluar, Banka e Shqipërisë aplikoi disa ndryshime në tarifat e transfertave kombëtare në lekë përmes sistemit AECH. Për shumat deri në 20 mijë lekë, transfertat do të kryhen pa komision. Në perspektivë, kjo i hap rrugë kryerjes pa asnjë kosto të instant payments. Por, shërbimi i instant payments në vetvete ende nuk është implementuar dhe objektivi është që ai të konkretizohet gjatë dy viteve në vazhdim.

Një objektiv tjetër është zbatimi i skemave të debitimit direkt ndërbankar, që Banka e Shqipërisë synon ta mundësojë brenda vitit 2021. Kjo mund të kontribuojë në shërbime me kosto më të efektshme të pagesave të faturave dhe në përdorim më të ulët të cash-it ndërmjet konsumatorëve dhe bizneseve.

 

Procesimi brenda vendit i pagesave me kartë do të ulte kostot me të paktën 30%

Projekt tjetër i rëndësishëm për lehtësimin e pagesave elektronike është përpunimi kombëtar i pagesave me kartë ose card switch. Shqipëria nuk ka një sistem kombëtar për të kanalizuar pagesat që kryhen me kartë, por shfrytëzon infrastrukturën e ofruesve globalë të këtyre shërbimeve, çka sjell kosto të konsiderueshme.

Një sistem kombëtar do të bëjë të mundur që të gjitha pagesat nga kartat e ndryshme të emetuara në Shqipëri të kanalizohen, klerohen dhe shlyhen nëpërmjet kësaj infrastrukture. Efikasiteti i përpunimit të pagesës me kartë do të rritet dhe kostot do të ulen. Me kalimin e kohës, switch-i kombëtar duhet të jetë në gjendje të funksionojë edhe me kanale të tjera pagesash, si, për shembull, nëpërmjet celularit.

Një studim i Bankës së Shqipërisë dhe Bankës Botërore ka treguar se kartat ngelen një instrument relativisht i shtrenjtë për bankat dhe rrjedhimisht kostot përcillen edhe tek ofruesit dhe përfituesit e pagesave me kartë bankare. Sipas studimit, Përdorimi i një platforme kombëtare të procesimit të pagesave me kartë mund të sjellë ulje të kostove me të paktën 30%, në raport me skemat e ofruara nga ofruesit ndërkombëtarë të kartave. Kostot janë një barrierë e konsiderueshme, sidomos për ofrimin e shërbimit të pagesës me kartë nga tregtarët.

Mbështetur në të dhënat e vitit 2019, komisionet e aplikuara nga bankat shqiptare për pranimin e pagesave me kartë ishin në intervalin midis 1.8% dhe 3.3% të shumës së përgjithshme të transaksionit. Në një masë të madhe, këto kosto lidhen me komisionet e procesimit ndërbankar të pagesave me kartë, që përcaktohen nga dy ofruesit kryesorë, Visa dhe Master Card. Komisionet e vendosura nga Visa dhe Master Card janë me intervale, por sipas studimit ato tentojnë përgjithësisht të jenë pranë kufirit të sipërm të intervalit, që për Visa është 2.02% dhe për Master Card 2.6%.

Këto tarifa janë mjaft të larta krahasuar me limitet rregullatore të vendosura nga Bashkimi Europian, që për kartat e debitit është 0.2% dhe për ato të kreditit 0.3%. Madje, studimi tregon se tarifat për Shqipërinë janë ndjeshëm më të larta jo vetëm me BE-në, por edhe me tregje më të krahasueshme me Shqipërinë, për nga stadi i zhvillimit.

Rreth 98.5% e kartave bankare në Shqipëri janë Visa dhe Master Card, gjë që tregon varësinë pothuajse totale të pagesave me kartë në tregun shqiptar nga dy kompanitë e mësipërme. Ato kanë avantazhin e të qenët instrumente globale, që mund të përdoren pothuajse në të gjithë botën.

Por, në nivel lokal, ato mund të shfrytëzojnë një sistem kombëtar pagesash, çka do të ulte ndjeshëm kostot për përdoruesit. Pandemia e ka ngadalësuar edhe zbatimin e planit të veprimit dhe në muajin dhjetor, Banka e Shqipërisë vendosi shtyrje të afateve në shumicën e pikave të saj. Aktualisht, në Shqipëri ekziston një kompani e licencuar nga Banka e Shqipërisë si operator kombëtar për ofrimin e shërbimit të pagesave me kartë, PayLink.

Sistem kombëtar pagesash për të zgjidhur problemin e transfertave të shtrenjta në euro

Një projekt tjetër që do të plotësonte infrastrukturën e pagesave në Shqipëri dhe do të ulte ndjeshëm kostot e tyre është ai për krijimin e një sistemi klerimi për transfertat kombëtare në euro. Kjo është një çështje me rëndësi të konsiderueshme, duke pasur parasysh nivelin e lartë të euroizimit të ekonomisë dhe sistemit financiar shqiptar.

Ende sot transfertat ndërbankare kombëtare në euro kryhen nëpërmjet bankave të huaja korrespondente. Kjo do të thotë se transferimi i eurove mes dy bankave shqiptare duhet detyrimisht të kalojë nga një bankë jashtë vendit, gjë që krijon kosto shumë më të larta krahasuar me transfertat në lekë. Këto kosto shpesh nxisin edhe tërheqjet dhe veprimet cash në monedhën europiane. Në momentin që klientët kanë nevojë të lëvizin fondet nga një bankë në tjetrën, shpesh ata zgjedhin ta bëjnë këtë fizikisht, për të shmangur komisionet. Lëvizja e shumave cash krijon rreziqe operacionale për bankën, por edhe për vetë klientin.

Projekti i Bankës së Shqipërisë dhe i Shoqatës Shqiptare të Bankave është që të krijohet një sistem kombëtar për shlyerjen e këtyre pagesave. Me shumë të ngjarë, një sistem i tillë do të shfrytëzojë infrastrukturën ekzistuese të pagesave të Bankës së Shqipërisë, ku më i mundshmi është sistemi i shlyerjes së pagesave me vlerë të vogël (AECH). Bankat mund të përdorin llogarinë e tyre të rezervës së detyrueshme në Bankën e Shqipërisë (ose një llogari tjetër të posaçme në euro) si urë për kryerjen e transfertave kombëtare në euro të klientëve.

Ngritja e një sistemi të tillë do të mundësojë uljen e ndjeshme të komisioneve për transfertat kombëtare në euro, duke parashikuar edhe vlera tavan. Për lekun, komisioni tavan është 500 lekë për transfertat në vlerë të vogël (deri 1.5 milionë lekë) dhe 1500 lekë për transfertat në shuma të mëdha, mbi 1.5 milionë lekë. Për euron, komisionet janë disa herë më të larta, në varësi të rrugës që ndjek transferta dhe të bankave korrespondente të përfshira. /Ersuin Shehu – Monitor