zoom

Lajme

Të dëbuar, të akuzuar për evazion dhe për vjedhje/ 16 kandidatë për deputetë me të shkuar kriminale

Të dëbuar, të akuzuar për evazion dhe për vjedhje/ 16 kandidatë për deputetë me të shkuar kriminale

Pas dyshimeve të ngritura pas dorëzimit të formularëve të dekriminalizimit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pret përgjigje nga Prokuroria e Përgjithshme për veprat penale ku mund të jenë përfshirë 16 prej kandidatëve për deputetë.

Të 16-të emrat janë kandidatë të partive të reja dhe të vogla, nga të cilët, 4 i përkasin partisë “Shqipëria Bëhet” të Adriatik Lapajt, 4 të tjerë nga Partia Social Demokrate e Tom Doshit, 2 nga Partia Mundësia e Agron Shehajt, një nga partia e Bashës, e një tjetër nga e Arlind Qorit.

Sipas formularëve të dorëzuar në KQZ, 7 prej tyre (3 të Shqipëria Bëhet) janë dëbuar nga shtetet e huaja për qëndrim të paligjshëm.

Një tjetër kandidat i Adriatik Lapajt në Lezhë, Erjon Selmani, është akuzuar nga autoritetet italiane për evazion fiskal dhe po pret gjykimin në shtetin fqinj.

Në listën e emrave për të cilët KQZ ka kërkuar informacion është edhe një kandidat i Tom Doshit, i gjykuar në Gjermani për vjedhje.

Nga ana tjetër, Desard Muzhaqi kandidat i Bashës në Elbasan është dënuar në Greqi për leje qëndrimi të falsifikuar si dhe ka përdorur edhe emër të dytë, Avdulla.

Prokuroria e Përgjithshme do të duhet të japë informacion edhe për një kandidat të Arlind Qorit në Kukës. Ai akuzohet se ka probleme me drejtësinë në Kosovë për vjedhje, dhe një dënim me 2 muaj burg në Shqipëri./ Zoom.al

Postime të lidhura