zoom

Politikë

Tahiri e bëri shok në qeli. Kush ishte i burgosuri që i tha: “Më vjen turp që dal unë e rrini ju”

Gjykata vendosi sot lirimin nga burgu të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili pjesën e mbetur prej 1 viti e 8 muaj e 15 ditë do ta kryejë në shtëpi.

Avokati i tij, Maks Haxhia, në një prononcim për mediat zbuloi se një person me precedent të theksuar kriminal, në momentin kur kishte dalë nga burgu, i kishte shprehur keqardhje Saimir Tahirit që vuante ende dënimin. “Më vjen turp që dal unë nga burgu dhe rrini ju,”- ishin fjalët, sipas avokatit Maks Haxhia, me të cilat ai i ishte drejtuar Saimir Tahirit.

Gazetarja Klodiana Lala tha se bëhet fjalë për Safet Bajrin, person i lakuar në trafik droge, me të cilin thuhet se ish-ministri ka ndarë qelinë. Safet Bajri, i akuzuar si një prej krerëve të grupeve kriminale në Shkodër është liruar me kusht nga burgu i Fierit në fund të muajit prill.

“Safet Bajri, person me rrezikshmëri, që ishte në një qeli me Tahirin tha: Mua po më vjen keq që po iki në shtëpi dhe ish-ministri i Brendshëm qëndron në burg. Duhet të kem një indicie që është vendim politik. Bosët e krimit apo politikanë dhe ish-zyrtarë s’e kryejnë deri në fund dënimin e tyre. Dikur një bos krimi, ka qenë zoti Haxhia avokat i çështjes, u lirua se kishte probleme me gjurin. Dhe u lirua nga burgu se dhimbja e gjurit ia pamundësonte qëndrimin në burg. Mund të ketë diçka mbrapa, por a ka një pakt? Nuk mund ta them. Duhet të kem fakte,”- pohoi gazetarja.

Vendimi ka ardhur pas një ekspertize mjekësore, ku përcaktohet se ai nuk mund të qëndronte më në burg.

Saimir Tahiri u dënua nga GJKKO me 5 vite burg për shpërdorim detyre, por për shkak të gjykimit të shkurtuar konvertohet në 3 vite e 4 muaj burg.

Në datën 4 shkurt 2022, Apeli i GJKKO la në fuqi këtë vendim, duke çuar në qeli ish-ministrin./ Zoom.al