zoom

Aktualitet

Zbardhet vendimi/ Ja “justifikimet” që nxorrën nga burgu para kohe ish-ministrin Saimir Tahiri

Saimir Tahiri, ish-ministri i Brendshëm gjatë mandatit të parë qeverisës “Rama 1”, njëherësh dhe ish-kryetari i Partisë Socialiste për Tiranën, është liruar nga burgu.

Vendimi u mor nga gjyqtarja Matilda Fetahu, e cila pranoi kërkesën e Saimir Tahirit për vuajtjen e dënimit të mbetur në kushte shtëpiake.

Sipas këtij vendimi, pjesën e mbetur të dënimit prej 1 vit e 8 muaj burg, ai do ta shlyejë në shtëpinë e tij në zonën e “Kodrës së Diellit” në Tiranë. Ai po ashtu mund të largohet nga banesa për nevoja të domosdoshme familjare, por vetëm pasi Shërbimi i Provës të jetë dakord.

 

Ndërsa pjesa tjetër e dënimit prej 1 vit e 4 muaj është vuajtur nga Tahiri gjatë qëndrimit në burgun 313, në burgun e Fierit, në Rrogozhinë dhe së fundi në burgun e Bradasheshit në Elbasan.

Për ish-ministrin janë dy ekspertiza mjeko-ligjore, që arsyetojnë se përse ai nuk mund të qëndrojë në burg për pjesën e mbetur të dënimit.

Në njërën prej tyre, thuhet se Tahiri ka probleme shëndetësore. Ndërsa në akt ekspertizën e dytë, shpjegohet se bashkëshortja e ish-ministrit nuk është në gjendje të mirë shëndetësore dhe për pasojë, nuk ka kush të kujdeset për fëmijët.

Tahiri iu nënshtrua procesit gjyqësor, ku për disa vite me radhë çështja kundër tij, kaloi nga njëra gjykatë në tjetrën dhe ende aktualisht ndodhet në Gjykatën e Lartë në pritje për t’u gjykuar.

Përballja do të vijojë në Gjykatën e Lartë, ku ish-zyrtari i ka bërë rekurs vendimit të Gjykatës së Apelit, duke kërkuar deklarimin e tij të pafajshëm.

Por njëherësh dhe prokuroria ka depozituar rekurs në Gjykatën e Lartë, duke kërkuar që Tahiri të mos dënohet vetëm për “Shpërdorim detyre”, por për favorizim të trafikut drogës drejt Italisë të një grupi kriminal të drejtuar nga vëllezërit Habilaj.

Në 4 shkurt 2022, GJKKO e dënoi Saimir Tahirin me 5 vite burg për “shpërdorim të detyrës”, por me gjykim të shkurtuar dënimi iu ul në 3 vite e 4 muaj burgim.

Tahiri u dënua vetëm për “Shpërdorim detyre”, duke i shpëtuar akuzave “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike, kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”.

Ish ministri i Brendshëm, u vu nën hetim në vitin 2017, nën dyshimet se kishte lidhje me një grup kriminal të drejtuar nga vëllezërit Habilaj, të akuzuar për trafik lëndësh narkotike nga Shqipëria drejt Italisë përmes detit.

Sipas Apelit të Posaçëm, si Ministër i Brendshëm, Saimir Tahiri ka lejuar me ndërgjegje që vëllezërit Habilaj të përdorin lidhjet ndër personale me të si kredenciale dhe ka lejuar me ndërgjegje të marrë edhe përfitime të padrejta për shkak të detyrës, së ushtruar në mënyrë abuzive.

Avokati Maks Haxhia, sqaroi se ky vendim jepet kur plotësohen 5 kushte. Një prej tyre, më kryesori në rastin e Tahirit, duket se është gjendja e përkeqësuar shëndetësore e bashkëshortes së tij, që i pamundëson të kujdeset për 2 fëmijët e mitur.

“Kodi Penal thotë që ka një sërë dënimesh alternative, në të cilat përfshihet edhe qëndrimi në shtëpi. Dhe për të marrë këtë vendim, për të arritur në këtë konkluzion, duhet të konkurrojnë 5 kushte. Kushte, sipas Kodit Penal janë vepra për të cilën është dënuar kërkuesi, duhet të ketë rrezikshmëri të ulët shoqërore. Kuptohet që është dënuar për shpërdorim detyre, që gjasat janë me ndryshimet e reja që mund t’i bëhen Kodit Penal, të hiqet fare si vepër penale”, – tha ai.

Avokati më pas tregon dhe kushtet e tjera: “E dyta, kur vetë personi paraqet rrezikshmëri shoqërore, është e pamundur. Kuptohet që Tahiri në këtë rast s’mund të pretendohet që ka rrezikshmëri të theksuar shoqërore për këtë vepër. E treta është t’i ketë ngelur më pak se 2 vjet. Nga 3 vjet e 4 muaj, Tahirit i kanë ngelur 1 vit e 7 muaj e 11 ditë. E katërta të ketë fëmijë të mitur në ngarkim, që i ka dy fëmijë. Dhe e pesta është që bashkëshorti/ja i lirë, që nuk është i dënuar, duhet që të jetë në pamundësi shëndetësore dhe në këtë rast bashkëshortja e Saimir Tahirit vuan nga një sëmundje që kur e kapin krizat, sëmundje e cila është arritur dhe me aktin e ekspertimit mjeko-ligjor, të jetë në pamundësi për t’u shërbyer fëmijëve”.

Sipas Maks Haxhiajt, këto 5 kushte, gjykata pas 5 muaj e sa, i ka shqyrtuar dhe i ka analizuar, duke dalë me vendimin për lirim nga qelia.