zoom

Aktualitet

Spiunët e GRU në Shqipëri? Në Gramsh teste për prodhimin e fishekëve që përdoren nga NATO

Drejtoria e Antiterrorit në Policinë e Shtetit bashkë me shërbimet sekrete janë duke hetuar disa pista në lidhje me tre rusët e kapur në uzinën ushtarake të Gramshit.

Një burim pranë këtyre hetimeve i thanë gazetarit të Top Channel Muhamed Veliu se me të gjitha gjasat kemi të bëjmë me një skuadër të shërbimit sekret ushtarak rus GRU me mision të pastër spiunazhi në vendin tonë.

Të kamufluar si blogerë të tre rusët e marrë në pyetje dyshohet se janë të mirë-trajnuar për operacione zbulimi.

Vendosja në fokus e uzinës të Gramshit nga GRU ruse, nuk është aspak e rastësishme.

Një burim nga ushtria shqiptare në kushtet e anonimatit i tha Top Channel se prej disa muajsh në këtë uzinë po zhvillohen teste për të prodhuar një fishek të kalibrit  5.56 mm.

Ky lloj municioni përdoret për automatikët M14 në përdorim nga forca tokësore e ushtrisë shqiptare dhe disa vende të NATO-S.

Ka dyshime të forta se synimi këtij grupi rus zbulimi me mision  spiunazhi,  synonte të zbulonte progresin e Shqipërisë pikërisht në prodhimin e fishekut 5.56 mm.

Shërbimet inteligjente shqiptare kanë në dorë një provë të rëndësishme në këtë hetim. Makinën me të cilën kanë mbërritur rusët në vendin tonë.

Nëse ata kanë hyrë nga pika e Muriqanit dyshohet se janë pjesë e stacionit  të  kundra-zbulimit të GRU në Beograd.

Prej kohës shërbimet inteligjente shqiptare kanë zbuluar se GRU ka edhe një degë aktive në Malin e Zi nga ku urdhërohen e drejtohen operacionet e spiunazhit brenda territorit të Shqipërisë.

Ndërsa agjencia ruse e inteligjencës FSB, veron përmes një stacioni sekret në Nish të Malit të Zi.