Aplikacion
Ish-kryebashkiaku i Himarës, Jorgo Goro, mund të rikthehet sërish në burg, pas një rivlerësimi të bërë nga SPAK mbi kohën e mbetur të dënimit të tij.
Sipas përllogaritjeve të fundit, pas vendimit të formës së prerë që e dënoi me 2 vite burg, të reduktuara në 1 vit e 4 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar, rezulton se Goro nuk e ka shlyer plotësisht dënimin. Nga llogaritja e periudhës së kaluar në paraburgim, ai duhet të kryejë ende 6 muaj e 10 ditë heqje lirie.
Prokurori Elvin Gokaj ka firmosur urdhrin për ekzekutimin e vendimit, megjithatë deri tani nuk raportohet që policia ta ketë zbatuar atë.
Nga ana tjetër, mbrojtja ligjore e Goros ka reaguar duke kundërshtuar këtë vendim. Avokatët kanë paraqitur një kërkesë për anulimin e urdhrit të ekzekutimit, duke pretenduar se klienti i tyre e ka shlyer dënimin përmes kohës së kaluar në paraburgim.
Goro është dënuar për shpërdorim detyre për tjetërsimin e një sipërfaqeje toke në vitin 2016, e cila dyshohet se i është kaluar Arqile Bollanos./ Zoom.al