Aplikacion
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kërkuar pushimin e çështjes penale ndaj gjyqtares Irena Gjoka.
Sipas njoftimit zyrtar, çështja ishte regjistruar në vitin 2025 pas një kallëzimi për veprën penale të falsifikimit të vulave, stampave ose formularëve. Gjatë hetimeve, SPAK ka mbledhur dokumente dhe ka kryer verifikime të shumta, përfshirë edhe në autoritetet e huaja, si në Greqi.
Nga hetimet rezulton se ekziston një vendim i vitit 2005 në Greqi ndaj Irena Gjokës, por nuk provohet që ajo të jetë njoftuar në mënyrë të rregullt për procesin apo vendimin. Gjithashtu, vendimi nuk është ekzekutuar dhe është arkivuar për shkak të parashkrimit të veprës penale.
SPAK vlerëson se, edhe nëse ky vendim merret në konsideratë, ndjekja penale është shuar për shkak të kalimit të afateve ligjore dhe nuk ka prova të mjaftueshme që ajo të ketë kryer veprën penale. Për këtë arsye, është kërkuar pushimi i çështjes në gjykatë.
Vendimi përfundimtar i takon Gjykatës së Posaçme./ Zoom.al