zoom

Aktualitet

SPAK kërkon 14 vite burg për kimistin kolumbian të laboratorit të kokainës në Frakull

SPAK kërkon 14 vite burg për kimistin kolumbian të laboratorit të kokainës në Frakull

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka dhënë pretencën për shtetasin kolumbian Samir Rosales Rodriguez, i konsideruar si kimisti i grupit kriminal që do të përpunonte dhe nxirrte kokainën nga laboratori i zbuluar në Frakull të Fierit.

Gjatë seancës gjyqësore, prokurori Adnan Xholi kërkoi dënimin e Rodriguez me 14 vite burg. Sipas SPAK, autoritetet shqiptare janë në pritje të ekstradimit të tij, pasi ai u arrestua në Kolumbi më 4 shtator të vitit të kaluar.

Nga hetimet ka rezultuar se Rodriguez kishte udhëtuar nga Kolumbia drejt Greqisë, më pas në Mal të Zi dhe në Shqipëri, me qëllim nxjerrjen e kokainës së përzier me pleh organik. Sipas Prokurorisë së Posaçme, sasia e lëndës narkotike që do të përpunohej arrinte në rreth 480 kilogramë.

Kolumbiani akuzohet për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

SPAK mbylli hetimet për këtë dosje në dhjetor të vitit 2023, duke marrë të pandehur ish-kryetarin socialist të ish-komunës Frakull, Viktor Çervanaku, si dhe 10 persona të tjerë, të akuzuar për trafikimin nga Kolumbia të 485.5 kilogramëve kokainë të përzier me pleh kimik.

Në dhjetor 2024, Apeli i GJKKO-së la në fuqi vendimin që dënoi me gjithsej 89 vite burg anëtarët e grupit kriminal. Mes të dënuarve ishte edhe Viktor Çervanaku, i cili mori 10 vite burg.

Si u zbulua laboratori i kokainës në Frakull

Më 24 nëntor 2022, në oborrin e banesës së Viktor Çervanakut në Frakull u sekuestruan rreth 600 thasë me pleh kimik. Pas ekspertizës, autoritetet zbuluan se në përbërjen e tyre ndodheshin rreth 485.5 kilogramë kokainë, e ardhur nga Kolumbia.

Operacioni u zhvillua nga SPAK në bashkëpunim me DEA-n amerikane dhe policinë malazeze, pas një hetimi disa mujor. Sipas hetimeve, lënda narkotike importohej nga Kolumbia, përpunohej në Shqipëri dhe kishte si destinacion tregun europian.