zoom

Aktualitet

SPAK jep pretencën për dosjen “Meta-Kryemadhi”, ja sa vite burg kërkon për nënën e Monikës, Pirro Xhixhon dhe Ema Çokun

SPAK jep pretencën për dosjen “Meta-Kryemadhi”, ja sa vite burg kërkon për nënën e Monikës, Pirro Xhixhon dhe Ema Çokun

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka dhënë këtë të hënë pretencën për dosjen ndaj Fatime Kryemadhit, Pirro Xhixhos dhe Ema Çokut, të akuzuar për veprën penale të pastrimit të parave dhe korrupsionit.

Për Fatime Kryemadhin, SPAK kërkoi dënimin me 7 vite e 6 muaj burg për veprën penale të pastrimit të parave, kryer në bashkëpunim. Por, për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi ulet në 5 vite burg. Megjithatë, prokuroria kërkoi që, duke marrë në konsideratë moshën e saj, dënimi me burg të konvertohet në 5 vite shërbim prove.

Po ashtu, SPAK kërkoi konfiskimin e vilës në pronësi të Fatime Kryemadhit, duke argumentuar se, megjithëse pasuria justifikohet me burime të ligjshme, ajo është ekuivalente me shumën që, sipas prokurorisë, dyshohet se është pastruar.

Për ish-kreun e AKEP, Pirro Xhixhon, SPAK kërkoi dënimin me 4 vite e 6 muaj burg dhe me gjykim të shkurtuar dënimi zbret në 3 vite burg dhe të pezullohet me 4 vite shërbim prove. Ai akuzohet nga SPAK për veprën penale “korrupsion pasiv”

Ndërkohë, për Ema Çokun, e akuzuar gjithashtu për pastrim parash, kryer në bashkëpunim, SPAK kërkoi dënimin me 7 vite burg, i cili, për shkak të gjykimit të shkurtuar, ulet në 4 vite e 8 muaj burg. Duke marrë në konsideratë rrethanat e çështjes, organi i akuzës kërkoi pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burg dhe vendosjen e saj në shërbim prove për 5 vite.

Seanca e radhës është caktuar më 27 korrik, ora 12:00, pasi avokatët e të pandehurve kërkuan kohë për të përgatitur mbrojtjen. 

Ndërkaq, vendimi përfundimtar për këtë çështje pritet të merret nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), e cila do të shqyrtojë pretencën e SPAK-ut dhe qëndrimet e palëve mbrojtjese.

Konkluzionet e Prokurorisë së Posaçme:

“Fatime Kryemadhi nuk justifikon 98 mijë euro, 246 mijë dollarë, 100 mijë euro të deklaruara nga Agi Kons për të shlyer kreditë, po ashtu 310 mijë euro të pajustifikuara. Janë marrë dy kredi për të blerë apartamentet, por kreditë janë shlyer me para cash, me burime të pajustifikuara. Deklaratat noteriale janë përpiluar pas pyetjes së Fatime Kryemadhit, nga organi i akuzës. Po ashtu, personat e pyetur në lidhje me huat me para cash ndaj Fatime Kryemadhit nuk kanë asnjë gjurmë të deklarimit të shumave monetare në pikën e kalimit kufitar, nga këta persona.

Ema Çoku është lidhje e ngushtë e Monika Kryemadhit, kjo provohet jo vetëm nga komunikimet e shpeshta, por edhe nga disa transaksione të ndryshme bankare. Ka bërë deklarata noteriale, që i ka dhënë Fatime Kryemadhit 240 mijë euro. Kompania e saj ka paguar faturën e hotelit të shtetasve të huaj që kishin ardhur për të mbështetur LSI-në. Po ashtu, ka paguar disa fatura që lidhen me evente të ndryshme të LRI-së.

Ndërkohë, Ema Çoku ka qenë debitore në bankat e nivelit të dytë për shkak të kredive në shuma të mëdha. Po ashtu, kjo e fundit ka qenë në pamundësi për të bërë donacione. Kjo shtetase ka bërë deklarata noteriale për llogari të Fatime Kryemadhit. Ema Çoku ka tentuar të justifikojë veprimet e të pandehurve të tjerë të këtij procedimi.“

Postime të lidhura